Fatmir Pireci, ish-zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, në kohën e Eqrem Kryeziut, nuk ka komentuar shumë rreth sharjes që Sekretari i PDK-së, Nijazi Kryeziu ia ka bërë në përgjimet e publikuara me Adem Grabovcin.
“Nuk kam koment”, ka thënë Pireci për “PrizrenPress”.
Një nga bisedat telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit shpalosë mënyrën më të errët se kush duhet të jenë anëtarët e Bordit të Ujësjellësit të Prizrenit.
Grabovci bashkë me Nijazi Kryeziun marrin vendimin përfundimtar, përtej kualiteteve të kandidatëve. Kriter për ta është vetëm nëse kandidati është i tyre.
Në një bisedë telefonike në mes të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe nënkryetarit të PDK-së, Dega në Prizren, Njazi Kryeziu klasifikohen kandidatët në mënyrën më klandestine.
Në përgjimin e publikuar nga Insajderi, Grabovci ia lexon emrat e kandidatëve, Kryeziu i seleksionon ata duke i hequr nga lista kandidatët që i konsideron se nuk janë të PDK-së, por të Eqrem Kryeziut dhe Fatmir Limajt.
Në mesin e kandidatëve për anëtar të Bordit të Ujësjellësit të Prizrenit ishte edhe Fatmir Pireci.
Grabovci: Fatmir Pireci?
Kryeziu: Ish-zëdhënës i Eqremit, qija nanën…
Pireci thotë se nuk e ka pritur nga Kryeziu një sharje të tillë.
“Jo nuk e kam pritur”, shprehet Pireci.
Fatmir Pireci, gjatë kohës së qeverisjes së Prizrenit nga LDK-ja, ka qenë zëdhënës i Komunës së Prizrenit.
Ai në vitin 2013-të ka aderuar në PDK, duke u bërë bashkëpartiak i Nijazi Kryeziut. /PrizrenPress.com/