-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Dosja e prokurorisë: Si e kreu Labinot Gruda transferimin e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Mbi 2 milionë euro u “zhdukën” nga Thesari i Shtetit tetorin e vitit të kaluar ndërsa i dyshuari kryesor për këtë çështje ishte Labinot Gruda, në atë kohë me pozitë në Ministrinë e Financave si menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Labinot Grudës e Kadri Shalës, përshkruhet në detaje se si është kryer transferi i 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë, për të cilën Prokuroria Speciale e ka ngarkuar Labinot Grudën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyrje në sistem kompjuterik, vjedhje të identitetit dhe pajisje e qasjes, ndërsa Kadri Shala nga e njëjta prokurori po akuzohet për veprën penale të ndihmës të lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të siguruar nga Kallxo.com, paratë e transferuara nga Gruda te Kadri Shala e i cili ky i fundit pastaj i kishte shpërndarë në disa kompani të tjera sipas aktakuzës janë para të disa projekteve kapitale më saktësisht projektit për “Rehabilitimin e rrugëve Zhur-Dragash në vlerë të 330 mijë e 92 eurove, Prizren-Prevallë në vlerë të 750 mijë eurove, Prizren-Prevallë në vlerë të 375 mijë eurove dhe projektin Prishtinë-Mitrovicë në vlerë të 622 mijë e 903 eurove”.

Aktakuza tutje përshkruan se sa usera apo përdorues ka krijuar Labinot Gruda për të tërhequr paratë e projekteve dhe për t’i transferuar ato më pas në kompaninë “LDA GROUP SHPK” në të cilën person i autorizuar ligjor ka qenë Kadri Shala.

Më 9 tetor të vitit të kaluar, Labinot Gruda sipas aktakuzës, në orën 11:28 minuta përmes userit/përdoruesit të tij “LGruda” ka përditësuar klasën funksionale të tij në SIMFK duke i mundësuar vetes regjistrimin e furnitorëve apo operatorëve ekonomik, ku më pas ka regjistruar në SIMFK kompaninë “LDA GROUP SHPK”.

Labinot Gruda tutje sipas aktakuzës në të njëjtën ditë kishte krijuar disa usera/ përdorues të rinj për të mundësuar më pas qasjen në urdhër blere dhe qasje në pranim të mallit. Në orën 12:33 të datës 9 tetor 2020, Labinot Gruda kishte krijuar edhe një përdorues tjetër me qasje për shpenzim dhe në orën 12:42 ka ndërruar fjalëkalimin për përdoruesin ekzistues të një personi i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pas këtyre hapjeve të llogarive të reja, sipas aktakuzës, Gruda kishte shfrytëzuar njërën nga këto llogari për të bërë urdhër-blerje në vlerë të mbi 2 milionë eurove për kompaninë “LDA GROUP SHPK”, person autorizues ligjor i të cilës ishte Kadri Shala.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, veprimet e Grudës nuk kishin ndaluar, ai përmes llogarisë së tij pas realizimit të urdhër blerjes me qëllim të pranimit të mallit kishte shfrytëzuar edhe një llogari tjetër të cilën e kishte krijuar vetë dhe kishte bërë pranimin e mallit për të gjitha urdhër blerjet për kompaninë “LDA GROUP SHPK”.

Për çdo veprim, Gruda kishte përdorur llogari të krijuara nga vet ai, thuhet në aktakuzë. Edhe për shpenzim të mallit, Gruda kishte përdorur një llogari tjetër dhe kishte krijuar kuponët e shpenzimit si dhe certifikimin e kuponëve për kompaninë “LDA GROUP SHPK”.

Në pretendimet e Prokurorisë, për certifikimin e kuponëve Gruda i kishte ndryshuar fjalëkalimin personit i cili ka qenë zyrtar i certifikuar në Ministrinë e Infrastrukturës për të kryer këtë punë.

Pas certifikimit të kuponëve të shpenzimit, Labinot Gruda ka ekzekutuar edhe pagesat në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 cent në drejtim të kompanisë “LDA GROUP SHPK” në të cilën person i autorizuar ligjor ishte Kadri Shala.

Me këto veprime, Prokuroria Speciale e akuzon Grudën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për krijimin e llogarive apo përdoruesve të rinj pa aprovim paraprak të udhëheqësit të departamentit për të tërhequr mbi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, Prokuroria Speciale, Grudën e akuzon për ndërhyrje në sistem kompjuterik.

Prokuroria pretendon se këto llogari të reja Gruda i ka krijuar nga ora 12:5 minuta deri në 12:33 minuta.

Tutje, Prokuroria Speciale e akuzon Grudën edhe për vjedhje të identitetit, pasi që i njëjti në datën e njëjtë me qëllim të kryerjes së veprës penale, ka shfrytëzuar pajisjen e qasjes dhe informacionit dhe i ka keqpërdorur llogarinë një zyrtari tjetër i cili ka qenë zyrtar certifikues në Ministrinë e Financave, të cilit rreth orës 12:42 të datës 9 tetor 2020, i kishte ndërhyrë në llogari dhe i kishte certifikuar kuponët në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 cent për kompaninë “LDA GROUP SHPK”.

Labinot Gruda ndodhet në paraburgim nga 20 tetori i vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Pejë ndërsa, Kadri Shala gjendet në paraburgim nga 26 nëntori i vitit të kaluar në Burgun e Dyzit, i cili gjendet në Podujevë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohen.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img