Nën dyshimin për marrje ryshfeti të hënën u arrestuan 48 police e 2 doganiere. Është ky një hetim disa mujor i IPK-së, por çka nxjerr dosja?
Dosja qe ka siguruar Insajderi zbulon detaje se si operonte ky grup i policëve kufitar kosovarë.
Qytetarët e Shqipërisë e Kosovës gjatë vitit të kaluar gjatë kalimit të pikës kufitare në Qafë Prush në Komunën e Gjakovës jo rrallë ishin pyetur nga policët “a ka ndonjë kafe?”
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, njëri nga policët e arrestuar, me inicialet U.M, dyshohet të ketë pyetur një qytetar: “A ka ndonjë kafe a ndonjë send për këta burra a jo?”.
Shoferi i një kamioni të vogël me ngjyrë të gjelbër, kishte pranuar kërkesën e policit dhe dyshohet se u ka dhënë para zyrtarëve policorë.
Dy muaj më herët, më 28 gusht pas orës 19:00, një veturë me ngjyrë të zezë ishte ndalur te kabina ku qëndronte polici A.TH, dhe i kishte thënë “i ke në librezë”, ku dyshohet t’ia ketë lënë 300 euro.
Pak minuta më vonë, aty kishte ardhur një veturë tjetër e tipit “Ford”, ngjyrë hiri, që kaloi shpejt pa u kontrolluar fare.
Nuk vonoi shumë dhe në të njëjtën pikë kufitare u ndalua një furgon i bardhë, që dyshohet se transportonte 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Dyshohet se shoferi ua kishte dhënë nga 100 euro tre policëve që ishin në ndërrim.
Sipas kërkesës për paraburgim, më 15 tetor 2021, policët tani të dyshuar, S.H dhe A.P, kishin marrë nga një qytetar 400 euro, në mënyrë që të lejonin futjen në Kosovë të disa pajisjeve për ashensor.
Sipas Prokurorisë, një banor i fshatit Runik të Komunës së Skenderajt, për të futur 10 arka me kërpudha në Kosovë, dyshohet se i kishte dhënë para policit kufitar A.TH, derisa ai ishte në kabinë për kontrollimin e pasaportave. Ai kishte marrë paratë me dorën e djathtë dhe pastaj e ka regjistruar qytetarin dhe ia ka lejuar hyrjen në Kosovë duke mos iu nënshtruar procedurave doganore.
Njëri nga policët e arrestuar, me inicialet B.K, brenda një ditë – derisa ishte në ndërrimin e natës – kishte marrë mbi 200 euro ryshfet.
Më 17 tetor të vitit të kaluar, ai e kishte nisur ditën duke marrë 20 euro ryshfet.
Më vonë, duke lejuar kontrabandimin e kërpudhave, ai kishte marrë edhe 100 euro të tjera.
Pas orës 21:00, duke lejuar kontrabandën e kërpudhave, polici B.K, kishte marrë 105 euro nga një shtetas i Shqipërisë, dhe i kishte ndarë me kolegët S.ZH dhe M.B.
Sipas Prokurorisë, një polic tjetër kishte marrë 10 euro nga një qytetar, i cili po transportonte shampon, mbrojtëse për telefon, mbushës telefoni etj
Me vetëm 1.5 euro qytetari nga Shqipëria A.C, i kishte bindur policët kufitarë që të hynte lirshëm në Kosovë, pasi të njëjtit i kishin kërkuar diçka për të pirë ose për të ngrënë.
Policët e arrestuar, disa herë kishin pranuar të holla duke vepruar në kundërshtim me kushtet për hyrje në Kosovë, sipas masave kundër pandemisë COVID-19.
Më 8 dhjetor 2021, një shtetas i Kosovës ua kishte dhënë 200 euro policëve kufitarë për kontrabandimin e mallrave që dyshohet të ishin maska dhe pajisje teknologjike.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka nisur një vit më parë ndaj 68 personave dhe disa persona janë ende në arrati, përfshirë edhe shtetas të Shqipërisë.
Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së, janë dy togerë policorë, pesë rreshterë dhe dy zyrtarë doganorë.
Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Gjykata të martën ka marrë vendim që të 50-të dyshuarit janë dërguar me nga një muaj në paraburgim.