Ish deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ka thënë se është turp i madh për Bashkimin Evropian që ende nuk i ka hequr vizat për Kosovën.
“Kjo po që është e turpshme, unë ndihem e turpëruar dhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian janë pro liberalizimit të vizave qe një kohë të gjatë dhe Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar. Gjëja e fundit që i duhej të bëj ishte demarkimi i territorit me Malin e Zi, e bëri dhe pastaj asgjë nuk ndodhi dhe ky është një turp”.
“Duke vepruar në këtë mënyrë BE po e humb kredibilitetin prandaj mendoj se Angela Merkel e ka kuptuar që Ballkani është lënë pas dore, ndaj në vitin 2015 e filloi me Samitin e Ballkanit, por problemi është që rezultatet e këtij samiti asnjëherë nuk vihen kurrë në vend nga qeveritë e vendeve të rajonit”, ka thënë Pack, njofton Klan Kosova.
Pack ka thënë se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga kërkesa për liberalizim vizash.
“Pikë së pari liberalizimi i vizave duhet të ndodhë padyshim dhe mendoj se nëse partia ime do të fitojë prapë, zotëri Lashet e njeh situatën dhe ai po dëgjon dhe do të shkojë rrugës se Angela Merkel. Jam e sigurt dhe unë nuk e di se kush do të jetë partneri i koalicionit, por mendoj se do të jetë edhe në interesin e tyre për të gjetur një zgjidhje për këtë rajon dhe të jenë vërtetë të përkushtuar për të zgjidhur problemet. Ne nuk mund t’i zgjidhim, politikanët mund ta bëjnë”.