Site icon PrishtinaPress

Dorëhiqet pas 21 vitesh punë togeri i Policisë: Paga e vogël, nuk mujta me mbajtë familjen

Besnik Leci ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si toger në Policinë e Kosovës.

Vendimi i Lecit vjen pas pothuajse 21 vitesh punë e shërbim në Polici.

Ai ka shfrytëzuar facebook-un zyrtar të tij për të njoftuar mbi vendimin e marrë, që sipas Lecit, është i motivuar nga gjendja ekonomike në vend.

“Paga e pamjaftueshme për ta mbajtur familjen, mungesa e sigurimit jetësor dhe atij shëndetësor, kushtet e punës, e shumë çështje të tjera, më kanë detyruar ta marr këtë vendim aspak të lehtë, mirëpo të detyrueshëm” ka shkruar ai në facebook.

Leci e nisi punën e tij në Policinë e Kosovës në vitin 2001, kur ishte 22 vjeç, së pari si polic i thjeshtë në Stacionin e Veriut, për të përfunduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në pozitën e shefit të Njësisë.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Të nderuar koleg, familjarë e shoqëri.

Ju falenderoj të gjithëve që jeni solidarizuar me mua, pas vendimit për t’u dorëhequr nga Policia e Kosovës.

Shumë prej jush më keni shkruar, e shumë edhe më keni telefonuar, sepse shumica nuk e keni prit e disa edhe nuk e keni besuar se kam marrë një vendim të tillë.

Asnjëherë gjatë karrieres time nuk e kam paramenduar se ndoshta një ditë, do të detyrohem të jap dorëheqje vullnetare nga Policia.Mirëpo ja që edhe kjo ndodhi pikërisht dje,me datë 15.07.2022, pas 20 vite e 10 muaj shërbim.

Po, e kam marrë atë vendim me vetëdije, dhe ka qenë zgjidhja ime,mirëpo besoni që zgjidhje shumë e dhimbshme për mua.

Është e vërtetë që dorëheqja vullnetare në Policinë e Kosovës është personale dhe individuale, dhe vendim i secilit për vehten e vet,mirëpo para se të gjykojmë me atë se “është vendim i juaji dhe zgjidhja juaj”, kish me qenë mirë me ba një analizë të shkurtë, a thua pse po detyrohem me mar një vendim të tillë.

Për shkak të korrektësisë, e ndiej obligim moral që ta sqaroj për ju dhe për të gjithë ata që iu intereson, se shkaqet apo motivi i cili qëndron pas këtij vendimi nuk ka të bëjë me asnjë çështje tjetër përveç, për fat të keq, çështjes ekonomike.

Paga e pa mjaftueshme për ta mbajt familjen, mungesa e sigurimit jetësor e atij shëndetsorë, kushtet e punës, e shumë çështje të tjera, më kanë detyruar ta marr këtë vendim aspak të lehtë,mirëpo të detyrueshëm.

E di që edhe shumë prej juve, ekonomikisht gjendeni në situatë të njëjtë, e ndoshta edhe më të vështirë,pasi që shumica keni edhe obligime tjera financiare-kredi nëpër banka, e të cilave nuk iu intereson sa e ke pagën e si e mban familjen, mirëpo me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për ju, për ne, dhe për të gjithë.

Falemnderit dhe ju priftë e mbara.

Exit mobile version