Arbër Grabovci nuk do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Pejës, e as kryetar i Degës së AAK-së në këtë qytet.
Grabovci tërheqjen e ka bërë për arsye personale.
Lajmin e ka dhënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një shënimi në Facebook.
“Sot qëndrova në Pejë, në qytetin tim të zemrës.
Pas konsultimeve me kryetarin e degës së Pejës, Arbër Grabovci, i cili këto ditë po përballet me disa sfida të natyrës personale, kam pranuar dorëheqjen e tij nga kandidatura për kryetar të komunës dhe nga detyra e kryetarit të degës.
Deri në Kuvendin e degës, detyrën e kryetarit do ta ushtrojë njëri nga nënkryetarët, sipas statutit të Aleancës.
Falënderoj përzemërsisht z. Arbër Grabovcin, për angazhimin e tij jetësor në Aleancë dhe e çmoj lartë gatishmërinë e tij për të vazhduar më tej detyrën si asambleist i AAK-së në Kuvendin Komunal”, ka njoftuar Haradinaj në Facebook.
Ndërsa Grabovci nga ana tjetër e ka konfirmuar tërheqjen e tij nga pozitat e cekura, por ka thënë se do të mbetet pjesë e AAK-së.
“Për shkak të disa çështjeve personale dhe në konsultim me Kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, nga sot tërhiqem nga posti i Kryetarit të Degës dhe Kandidatit për Kryetar të Komunës së Pejës.
Angazhimet e mija do ti vazhdoj në kuadër të grupit të asambleistëve të AAK-së, në Kuvendin Komunal të Pejës.
Dhe do të jem prore pjesë e Aleancës!”, ka njoftuar Grabovci.