Sot dha dorëheqje edhe deputetja Besa Baftiu, ndërsa Albin Kurti mohoi ndarjen në Vetëvendosje. Dorëheqjet në Vetëvendosje që kanë nisur më muajin e fundit të 2017-ës, e që po vazhdojnë edhe sot, kanë bërë që një pjesë e deputetëve të mos jenë më pjesë e strukturave të kësaj partie.
Në dhjetor të vitit të kaluar, nisën të dalin hapur problemet e brendshme në Vetëvendosje, të cilat kishin nisur më shumë se një vit më herët, por mbaheshin fshehur nga publiku.
E para që dha dorëheqje, ishte deputetja Aida Dërguti. Kjo dorëheqje erdhi në mesin e dhjetorit, pas publikimit të një bisede të brendshme në Viber në mes të disa anëtarëve të LVV-së në të cilën shihet se Dërguti i drejtohet me një fjalë fyese themeluesit të partisë, Albin Kurti.
“Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gijthsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit”, kishte shkruar ajo në letrën e dorëheqjes.
Por, dorëheqjet e njëpasnjëshme vazhduan. Në ditën e dytë të vitit të ri, Vetëvendosjes iu largua kryetari i partisë, Visar Ymeri i cili dha dorëheqje nga nga të gjitha pozitat në partinë që e drejtoi për gati tre vjet.
“Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, kishte thënë Ymeri në ditën e dorëheqjes, më 2 janar të 2018-ës.
Por ‘alarmi’ i dhënë nga i pari i Vetëvendosjes, nuk u ndal. Dorëheqjet vazhduan, jo vetëm nga deputetët e anëtarët tjerë, por edhe nga dy kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo parti.
Vetëm dy ditë më vonë, dorëheqje dha edhe nënkryetari i parë i kësaj partie, Dardan Sejdiu.
“Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes Vetëvendosje, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, i cili kohëve të fundit ka një intensitet më të shtuar e mediatizim të dëmshëm”, kishte shkruar Sejdiu në letrën e dorëheqjes.
Pas Sejdiut, dorëheqje dha edhe deputetja Shqipe Pantina, e cila tha se dorëheqja po bëhet për shkak të trazirave të fundit që i pati kjo parti.
“Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, shpifjet, insinuatat e linçimet e vazhdueshme gjatë vitit të fundit e që u shpërfaqën publikisht e masovikisht në muajt e fundit më kanë bërë të besoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk është ajo të cilës unë i jam bashkuar në vitin 2014”, thuhej në letren e dorëheqjes së deputetes Pantina.
Listës së dorëheqjeve iu bashkua edhe deputeti tjetër, Faton Topalli.
Në letrën e dorëheqjes Topalli përmendte edhe mospajtime me idenë e mosrespektimit të simboleve shtetërore.
“Mua më vjen shumë keq që një pjesë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë instrumentalizuar dhe nuk janë të vetëdishëm për dëmin që ia kanë shkaktuar Lëvizjes”, kishte shkruar Topalli.
Listës së deputetëve të dorëhequr iu shtua edhe Driton Çaushi, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës.
“Të premtën që shkoi, duke u kthyer nga Prishtina lexova një postim të Albinit ku ndër të tjera kërkonte nga të dorëhequrit të ktheheshin për të diskutuar në forumet e Lëvizjes. Ajo që më priti në Gjakovë ishte një fushatë e re linçimi, me grafite denigruese në qytet dhe para shtëpisë time, nga po të njëjtët aktivistë të manipuluar për një vit me radhë”, kishte shkruar Caushi në letrën e dorëheqjes.
Edhe deputeti Frashër Krasniqi dha dorëheqje me një letër nga burgu ku po mbahej në lidhje me sulmin në objektin e Kuvendit të Kosovës.
“Përmes kësaj letre jap dorëheqje nga pozita e delegatit të Këshillit të Pëgjithshëm dhe çdo pozitë tjetër brenda organizatës, i vetëdijshëm që do të përballem me po ato shpifje e sharje që u përballën shoqet e shokët e mi”, tha Krasniqi.
Sot nga të gjitha strukturat dha dorëheqje edhe deputetja Besa Baftiu. Ajo si arsye të dorëheqjes përmendi atë që e quajti fushatë linçuese.
“…Kësisoj, gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe”, ka shkruar Baftiu.
Janë përfolur në media edhe dorëheqjet e Dukagjin Goranit dhe Donika Kadaj- Bujupit, por ata nuk janë deklaruar zyrtarisht për to, ndërsa Fisnik Ismaili tha në një rast se po përtonte të jepte dorëheqje,
Përveç deputetëve, anëtarëve të kryesisë e aktivistëve, nga Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje edhe dy kryetarë komunash që udhëhiqen nga kjo parti.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është ndër zyrtarët e parë që nuk jep dorëheqje vetëm nga pozitat udhëhqëse,, por është dorëhequr nga Vetëvendosje.
“..Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera”, kishte shkruar Ahmeti në letrën e dorëheqjes që e bëri publike më 7 mars.
Dorëheqja nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë edhe kryetari i ri i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
“Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, shkroi Kastrati, raporton Kallxo.com.
Sot dha dorëheqje deputetja Besa Baftiu, ndërsa mediet kanë përfolur edhe dorëheqjet e mundshme të Donika Kadaj-Bujupit dhe Dukagjin Goranit, derisa deputeti Fisnik Ismaili tha në një rast se po përtonte të dorëhiqej.
Pavarësisht dorëqjeve deri sot, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë sot se në partinë që ai e drejton nuk ka ndarje. Sipas tij, ka vetëm dalje.
“Nga Lëvizja Vetëvendosje ka disa dorëheqje dhe dalje, që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka as ndarje dhe as ndalje”, tha Kurti.
Deputetët që njoftuan dorëheqjen nga strukturat e VV-së:
Dardan Molliqaj
Visar Ymeri
Dardan Sejdiu
Aida Dërguti
Shqipe Pantina
Faton Topalli
Driton Çaushi
Besa Baftiu
Frashër Krasniqi