Site icon PrishtinaPress

Dorëheqja e Valbon Krasniqit, para pak ditësh iu përmend shkarkimi

Infektologu Valbon Krasniqi nuk e ka bërë të ditur arsyen e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së. Në krye të kësaj detyre ai ishte emëruar në korrik të vitit 2020, në kohën kur bota po përballej me pandeminë Covid-19 e gjendja ishte rënduar edhe në Kosovë.

Javën e kaluar mediat raportuan se bordi i SHKUK-së mund ta shkarkojë Krasniqin nga pozita e drejtorit kjo pasi u tha se po shqyrtohej raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit. Raportimet pretendonin se aty janë nxjerrë disa parregullësi që lidheshin me menaxhimin e buxhetit dhe kontratave në ShSKUK.

Megjithatë në atë mbledhje bordi konfirmoi vetëm shqyrtimin e raportit, por jo edhe shkarkimin e tij.

Por duket se Krasniqi i parapriu skenarit të mundshëm të bordit të ShSKUK-së duke e kërkuar vetë dorëheqjen.

Sot u dha njoftimi për media se Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar dorëheqjen Dr. Valbon Krasniqi. Teksa U.D., u emërua Dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi.

U tha se Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Krasniqit dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin e treguar.

Dr.Valbon Krasniqi sot pati një paraqitje në mbledhjen e komisionit për Financa Publike.

Krasniqi aty ka deklaruar se largimi i profesionistëve shëndetësor nga Kosova është një ndër sfidat më të mëdha të Kosovës.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që profesionistët t’i mbajmë këtu. Nga Klinika e Pediatrisë janë larguar në 4 muajt e fundit 4 pediatër. Beni përpjekje sepse duhet investime në shëndetësi”, u shpreh ai.

“Ky trend i ikjes së stafit shëndetësor është duke u rritur dita ditës prandaj merrni ndonjë masë në këtë drejtim”, iu drejtua infektologu anëtarëve të komisionit.

Ai ka theksuar se në të gjitha klinikat ka nevojë për përmirësime të punës.

Për arsyen e dorëheqjes, Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim nga Dr.Krasniqi, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij shkrimi.

Exit mobile version