9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Dorëheqja e Ahmetit, ndan në dysh asamblistët e Vetëvendosjes

Dorëheqja e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka shkaktuar çarje edhe tek asamblistët e kësaj Lëvizje.

Një pjesë e tyre janë të pozicionuar krah liderit të VV-së Albin Kurti dhe një pjesë tjetër përkrahin kryetarin Ahmeti.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se që nga sot asamblistët e saj do të jenë opozitë e kryetarit Ahmeti.

Edhe pse nuk dihet përfundimisht numri i atyre që do të jenë me kryetarin Ahmeti, sipas asamblistit Eman Rrahmani numri i atyre që më nuk janë pjesë e Lëvizjes është 4.

Por Rrahmani është shprehur optimist se nuk do të ketë pengesa gjatë punës së asamblesë dhe se nuk do të jenë bllokues të punës së Kuvendit komunal.

 

“Është kryetar i Komunës, por jo si pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Sa i përket punës së Shpendit nuk do të paraqes asnjë problem. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë aty, do të jemi si opozitë aty, jo si pozitë. Nuk do të jemi bllokues ën Kuvendin Komunal. Çdo projekt i mirë për qytetin do të kalohet, do të votohet. Do të ketë iniciativa tona për projektet tjera të mira”, tha Rrahmani për KosovaPress.

Rrahmani konfirmon se deri më tani janë 4 asamblistë të dorëhequr dhe se nuk dihet ende se sa do të shkojë numri i tyre.

“Nuk mundet ta bartë barrën qytetari për shkak të “tradhtisë” siç po e quani ju të Shpendit. Por çdo projekt, çdo ligj, çdo gjë që është i dobishëm për qytetarët do të votohet nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Deri tash kanë dhënë dorëheqje 4 nga asamblistët, mbetet ditëve në vijim të shohim se cilët dëshirojnë të qëndrojnë në VV, të qëndrojnë aty ku e kanë marrë mandatin nga qytetarët apo dëshirojnë të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve ashtu siç e ka tjetërsua edhe kryetari edhe disa tjerë asamblistë”, tha Rrahmani.

Sipas tij, do të duhej që secili individ i dorëhequr të jepte llogari që ka tjetërsuar vullnetin e qytetarit dhe vullnetin e atyre që kanë ardhur nga diaspora për të votuar.

Pasi sipas tij, ata kanë votuar për Shpendin që të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, si pjesëtar i VV-së dhe jo si i pavarur apo si pjesëtar i ndonjë subjekti tjetër.

Ndryshe nga Rrahmani mendon asamblisti tjetër i Vetëvendosjes Adrian Berisha, i cili tha se ndarja e një grupi të asamblistëve të VV-së padyshim se do të lë gjurmët e veta.

Porse u shpreh i bindur se edhe të tjerët, sikurse ai vet, do të votojnë gjithmonë në dobi të së mirës të qytetarëve të kryeqytetit.

“Definitivisht që ka me paraqit sado pak problem, por unë vetën në Kuvendin Komunal të Prishtinës e shoh veten si një asamblist që do të përfaqësoj qytetarët në mënyrën më të mirë. Do të thotë çdo projekt propozim, çdo ligj, çdo rregullore e cila është në të mirën e qytetit të Prishtinës unë si asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës do ta votoj qoftë nëse vjen prej kryetarit Shpend Ahmeti, qoftë nëse vjen ndonjë propozim edhe nga ndonjë asamblisti tjetër diçka nëse është për të mirën e qytetarëve atëherë gjithsesi që do ta votoj”, u shpreh Berisha.

Ai la të nënkuptohet se edhe ditëve në vazhdim mund të ketë dorëheqje të ndonjë asamblisti tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kalojë asamblist i ndonjë grupi tjetër apo asamblist i pavarur. Teksa nuk bëri të ditur se sa do të jetë numri i asamblistëve të dorëhequr.

Çarja në dysh e grupit të asamblistëve në komunën e Prishtinës do të paraqet problem në punën e kryetarit Ahmeti.

Kështu mendon Valentina Abazi nga organizata Iniciativa për Progres (INPO), e cila monitoron komunën.

Ajo thotë se largimi i një numri të asamblistëve nga radhët e VV-së mund të paraqesë probleme në qeverisjen e kryetarit aktual Shpend Ahmetit.

Abazi tha se kjo situatë do të shkaktojë edhe bllokada në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Siç e dini edhe ju, VV e ka shumicën në Kuvendin Komunal. Në momentin kur japin dorëheqje shumica prej tyre atëherë po mendoj se ka për të qenë tollovia e vërtetë që ka për t’iu kanosur Shpend Ahmetit dhe rrjedhimisht do ta pengojë qysh është paraqitur në letrën e tij, pasi që pikat të cilat propozohen nga kryetari në Kuvend Komunal, nuk do të mund të kalojnë. Prapë kemi për të pasur bllokada të vazhdueshme në Kuvend Komunal. Mirëpo uroj dhe shpresojmë që një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Nëse një gjë e tillë ndodhë dhe Shpend Ahmeti nuk i ka mbështetësit në Kuvendin Komunal, kjo ndoshta nuk kish për ta detyruar z. Ahmetin për t’u larguar prej aty, mirëpo do të bënte të pamundur vazhdimin e punës së tij, siç ligjërisht duhet të vazhdojë. Pasi që çka do që z. Ahmeti ndërmerr në Kuvendin Komunal ka për të qenë e kot. Një gjë e tillë do ta kis h detyruar atë me u tërhjek, nëse veç ndodhë, edhe pse nuk është asgjë zyrtare deri më tash”, u shpreh ajo.

Ndërsa sa i përket shkarkimit të kryetarit të komunës Shpend Ahmetit, Abazi tha se nëse opozita bashkohet dhe organizon mocion mosbesimi, atëherë rrezikohet mandati i tij qeverisës me kryeqytetin.

Në ligjin për Vetëqeverisje Lokale parashihen edhe momentet kur kryetari i një komune mund të suspendohet apo shkarkohet.

Në njërën nga nenet e këtij ligji thuhet se një kërkesë për shkarkim mund të iniciohet me një iniciativë të 20 përqind të votuesve të regjistruar.

“Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit”, thuhet në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur mbledhjen solemne për nder të Ditës së Gruas, në të cilën mungoi kryetari Shpend Ahmeti. Mësohet se Ahmeti sot nuk ka dalë fare në vendin e tij të punës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img