Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, janë takuar me komunitetin shqiptar në Tongeren të Belgjikës.
Në njoftimin për media thuhet se para bashkatdhetarëve që jetojnë në Belgjikë, dy ministrat paraqitën angazhimin dhe vizionin e institucioneve të Kosovës në realizim te objektivave konkrete qeveritare në mbështetje të mërgatës në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor, kulturor e arsimor si dhe fuqizimin e lidhjeve me Kosovën në njërën anë, dhe përfshirjen e potiencialit të gjeneratave të ndryshme të mërgatës në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik, politik dhe shoqëror në Kosovë.
“Theks i veçantë iu kushtua sundimit të ligjit dhe hapjes së mundësive të mëdha të investimit që ofron Kosova si dhe reformave administrative që po bëhen në lehtësimin e investimeve të diasporës në Kosovë. Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Tongeren falënderuan ministrat Gërvalla dhe Peci për vizitat dhe takimet me mërgatën shqiptare dhe gatishmërinë për realizimin e projekteve të përbashkëta që fuqizojnë mërgatën dhe diasporën tonë në botë por edhe forcojnë lidhjet e tyre me Kosovën”.
“Gjatë këtij takimi, komuniteti shqiptar në Belgjikë kishte përgatitur edhe një program kulturo-artistik duke demonstruar kështu përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor dhe kombëtar”, thuhet në njoftim.