Njerëzit po udhëtojnë nga shteti i Nebraskës në Ajovën fqinje për të ndjekur fushatën e ish-presidentit Donald Trump. Kandidati kryesor presidencial republikan për vitin 2024 planifikon të marrë pjesë në aktivitetin më të madh të fushatës në gati katër muaj, me një fjalim para mijëra njerëzve në një stadium në pjesën perëndimore të Ajovas.
Zoti Trump do të përdorë ngjarjen e së premtes në distriktin Council Bluffs për të sulmuar rivalin e tij kryesor republikan, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, për kundërshtimin që ai i ka bërë udhëzimit federal për etanolin, një karburant i rinovueshëm. Shteti i Ajovës udhëheq vendin në prodhimin e etanolit. Banorët e Nebraskës mund të marrin pjesë në ngjarjen e Ajovas, por nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake të këtij shteti.
Si ligjvënës nga Florida, zoti DeSantis ishte ndër propozuesit e një projekt-ligji në vitin 2017 që do t’i jepte fund menjëherë standardit të karburantit të rinovueshëm, një pozicion në përputhje me konservatorët fiskalë që i shohin kufizimet e tilla si tejkalim të rolit të qeverisë.
Si kandidat, Donald Trumpi ka promovuar urdhërin ekzekutiv që nënshkroi si president për rritjen e shitjes me pakicë të karburantit që përmban 15% etanol.
Kandidatët e shumtë presidencialë republikanë për vitin 2024 kanë kaluar shumë kohë gjatë muajve të fundit në Ajova, shteti ku fillojnë zgjedhjet paraprake. Në qershor, më shumë se 12 kandidatë, përfshirë guvernatorin DeSantis, ish-nënpresidentin Mike Pence, ish-ambasadoren e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley dhe senatorin amerikan Tim Scott nga Karolina e Jugut, morën pjesë në mbledhjen vjetore të fondeve të senatores Joni Ernst “Roast and Ride”, që nisi një sezon veror të ngarkuar të fushatës.
Donald Trump-i, kandidati kryesor i republikanëve, bëri fushatë në zonën e Des Moines muajin e kaluar, duke u takuar me ligjvënësit e shtetit, pastorë konservatorë me ndikim, dhe vullnetarë të fushatës. Kjo vizitë erdhi rreth një javë përpara se ai t’i ngriheshin akuza federale që kanë të bëjnë me të dhënat e klasifikuara që ai mbante në shtëpinë e tij në Palm Beach të shtetit të Floridës