As vendimet e dy gjykatave dhe as mundësia që dekreti i tij të ngecë edhe në Gjykatën e Lartë të ndarë mes katër anëtarëve konservatorë e katër liberalë, nuk e lëkundin Donald Trumpin nga vullneti për ta çuar deri në fund atë që ka nisur.
Presidenti i ri amerikan u tha reporterëve në avionin “Air Force One” se po merr në konsideratë nxjerrjen e një urdhri të ri ndalues për qytetaret e disa shteteve të caktuara, duke e rikthyer kështu makthin e kufizimit të udhëtimeve.
“Nga e hëna apo e marta do të nxjerr një urdhër të ri”, ishte komenti i tij, duke shprehur bindjen gjithashtu se do të fitojë betejën në gjykata për zhbllokimin e urdhrit ekzistues.
“Ajo është një betejë të cilën ne do ta fitojmë. Problemi i vetëm është në aspektin ligjor. Ajo kërkon kohë, por ne do të fitojmë. Kemi edhe mundësi të tjera dhe këto përfshijnë edhe nxjerrjen e një urdhri fringo të ri”, u shpreh ai.
Nuk dihet ende çfarë do të përmbajë dekreti i ri, por Trump la të kuptohet se ai mund të ndryshojë shumë pak nga i mëparshmi, transmeton tch.
Të premten Presidenti u shpreh se do të ndërmarrë shumë shpejt veprime për të mbrojtur SHBA dhe qytetarët e tyre, por pa sqaruar në hollësi se çfarë hapash planifikon të hedhë për të kontrolluar hyrjet në Amerikë të njerëzve nga vendet që shihen si kërcënime të mundshme terroriste.
“Votuesit më zgjodhën për ta mbajtur vendin të sigurtë, ndaj do të bëjmë shumë shpejt diçka për masa sigurie shtesë. Këtë do ta shihni javën që vjen”, ishin fjalët e shefit të Shtëpisë së Bardhë.