Site icon PrishtinaPress

Dom Lush Gjergji: Për Nënë Terezën, sëmundja më e keqe ishte mungesa e dashurisë

Dom Lush Gjergji, autor i 17 librave rreth Nënë Terezës thotë se vepra dhe jeta e saj ka një aktualitet të jashtëzakonshëm, megjithëse po bëhen 25 vjet nga vdekja e Shenjtores me origjinë shqiptare. 

Dom Lush Gjergji i Ipeshkvisë së Prishtinës dhe Prizrenit, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se mesazhi i saj ishte që dashuria është mbi të gjitha.

Ajo mbi të gjitha është nëna e jetës. Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne. Pra na meson se si duhet ta çmojmë, ta nderojmë dhe ta duam jetën prej zanafillës deri tek ofshama e fundit, apo kalimi në amëshim. Është nëna e dashurisë. Dashuria është nevoja kryesore dhe e vetmja mundësi që njeriu të jetë i lumtur”, thotë Dom Lush Gjergji, duke shtuar se për Nënë Terezën “sëmundja më e keqe është mungesa e dashurisë”.

Biografi i Nënë Terezës e takoi atë për herë të parë në vitin 1968 dhe më dhjetra herë më pas. Ai thotë se elementet që karakterizojnë disa nga vlerat e shqiptarëve si mikpritja dhe bujaria kanë qenë të mishëruara në veprën e Nënë Terezës që u shërbeu njerëzve ne nevojë.

“Nëna Terezë nuk e ka ndarë kurrë Zotin prej njeriut dhe kurrë njeriun prej Zotit dhe pikërisht për këtë e ka dashur Zotin në njeriun dhe njeriun në Zotin. Dhe kjo duhet të jetë porosia jonë”, thotë ai.

“Duhet ta kultivojmë sa më tepër vëllazërinë gjithëshqiptare, në çdo njeri ta njohim vëllain apo motrën, aq më tepër në çdo njeri shqiptar dhe ta kemi një dashuri konkrete, jo spektakolare, jo të jashtëzakonshme, jo vetëm mendimore por edhe vepruese”, thotë ai.

Dom Lush Gjergji thekson se marrëdhëniet mes bashkësive fetare në Kosovë janë të rëndësishme për të mirën e përgjithshme.

“Ne si bashkësi fetare, si Kishë Katolike si edhe Bashkësia Myslimane apo Islame, si edhe Kisha Ortodokse e kemi një detyrë të jashtëzakonshme dhe një borxh ndaj Zotit dhe ndaj njeriut që ta bëjmë këtë lloj harmonizimi që të mos biem në ndikime të së keqes, që të mos jemi të kufizuar në atë çka është e mira (vetëm) vetjake, ose e bashkësisë (fetare). E mira është gjithmonë e përbashkët dhe nuk ka të mire tjetër përpos vëllazërisht dhe bashkërisht të jemi mirë dhe të jemi të lumtur”, tha ai.

Duke iu referuar marrëdhënieve me Kishën Serbe në Kosovë ai thotë se vështirësitë nuk janë teologjike apo fetare, por shton se gjithmonë duhet shtruar dora e komunikimit.“Rrethanat janë ndonjëherë më të favorshme, ndonjëherë më pak të pafavorshme, mirëpo mundësi për bisedim, për dialog, për komunikim ka gjithmonë”, tha ai. /VOA

Exit mobile version