Site icon PrishtinaPress

Dokument/Kthehet në punë Nexhat Krasniqi ‘baba i tenderëve’, vendimi po konsiderohet si skandaloz

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim ta kthejë në punë Nexhat Krasniqin, i njohur ndryshe edhe si “baba i tenderëve”.

Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil me vendim të datës 4 dhjetor të këtij viti përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. E datës 7 shkurt të vitit 2019 e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.

Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 I datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjitshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.Sipas këtij vendimi obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punnës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK-ja thekson se më datën 15.05.2016 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit, ankuesin Nexhat Krasniqi e dënon me dënim me kusht. Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me datën 02.02.2017 sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm merr në shqyrtim lëndën ndaj ankuesit Nexhat Krasniqi.

Tutje në arsyetim thuhet se Komisioni Disiplonot duke u bazuar në nenin 63 paragrafi 4 të Ligjit nr 03/L-149 për Shërbimin Civil e ka trajtuar lëndën dhe ka marrë vendim që ankuesit ia kanë ndërprerë marrëdhënien e punës në shërbimin civil në kuadër të MI-së.

Me poshtë në vendim KPSHMCK-ja përmend edhe disa nga provat që ia ka paraqitur Krasniqi.

Krasniqi ka qenë një kohë të gjatë shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (dikur njihej edhe si Ministria e Transportit dhe Postë Telekomit).

Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Përkundër se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, i kishin dhënë përparësi Krasniqit, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur edhe në Gjykatën Supreme.

Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Aprovohet si e bazuar kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, KMLC.nr.138/2019 datë 22.08.2019 dhe ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, CP.nr.2257/2018 datë 22.5.2019, dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.3056/2019 datë 25.07.2019, ashtu që aprovohet si e bazuar prapësimi i debitorit të përmbarimit të Qeverisë së Kosovës – Ministria e Infrastrukturës, me seli në Prishtinë, i paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë CP.nr.2257/2018 datë 15.04.2019 me të cilin është caktuar përmbarimi i vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018, lihet jashtë fuqie ky aktvendim për caktim përmbarimi, dhe refuzohet si e pabazuar propozimi i kreditorit për lejimin e përmbarimit të këtij vendimi, (vendimit të Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018)”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Krasniqi që njihet si ‘baba i tenderëve’ ishte treguar mjaftë problematik qysh në fillim të vendimit për t’u larguar nga posti i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës. Përkundër vendimit të sekretarit që ishte në postin e ushtruesit të detyrës, ai kishte refuzuar të largohej nga zyra.

Madje, Krasniqin nuk kishin arritur që ta largonin as Policia e Kosovës, kur përkundër se u ishin ftuar për një gjë të tillë, ata nga zyra nuk kishin arritur ta largonin atë. Madje ai kishte vazhduar punën normalisht edhe pse ishte shkarkuar.

Në fakt kjo kishte qenë rezistenca e dytë që Krasniqi kishte bërë për mos t’u larguar nga posti i tij.

Rasti i parë kishte qenë kur ai ishte akuzuar në rastin e njohur si MTPT, ku së bashku me Fatmir Limajn dhe të tjerët, Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, por që për këtë rast ishin shpallur të pafajshëm të gjithë më pas.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit më 12 nëntor të vitit 2018 kishte marrë vendim që ndaj Krasniqit të “Ndërpritet Marrëdhënia e Punës në Shërbimin Civil’ për shkak të kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Përballjet për vendimin që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, kishin përfunduar në nëntor të vitit të kaluar, kur për Krasniqin është vendosur të largohet nga ai post për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në anën tjetër, AVONET konsideronte se në rastin e Krasniqit ishte përfshirë edhe gjykatësi Arton Fazliu, për të cilin dyshohet se i ka shërbyer Nexhat Krasniqit dhe ka shkelur Kushtetutën.

AVONET theksonte se përmes një hulumtimi që kanë bërë, kanë kuptuar se përderisa ka qenë i punësuar si Drejtor i Prokurimit në MTI, Nexhat Krasniqi është larguar nga puna, bazuar në Aktgjykimin të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 144 i datës 21 shtator 2015, me të cilin është dënuar me dy vjet e dy muaj burgim, gjegjësisht 26 muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Aktgjykim të cilin Gjykata e Apelit e ka vërtetuar me Aktgjykimin që ka lëshuar më datë 20 maj 2016, ku të njëjtit i është shqiptuar dënimi me burgim një vit gjashtë muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ky aktgjykim është i plotëfuqishëm.

Për rastin në fjalë edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës kishte nxjerrë Aktgjykim me datë 2 mars 2017, me të cilin është vërtetuar Aktgjykimi i datës 20 maj 2016 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilin është dënuar me burgim një vit e gjashtë muaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Duke kontestuar drejtësinë, AVONET thoshte se Krasniqi ka parashtruar edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të datës 2 mars 2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila kërkesë me anë të Aktvendimit (si Aktvendim përfundimtar) për papranueshmëri më datë 5 shkurt 2018 është refuzuar si e papranueshme.

“Duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, më datë 21 shtator 2015, Aktgjykimin më datë 20 maj 2016, të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Aktgjykimin me datë 2 mars 2017 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Aktvendimin për papranueshmëri me datë 5 Shkurt 2018 të Gjykatës Kushtetuese, është vërtetuar se Nexhat Krasniqi ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe për këtë është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim një e gjashtë muaj”, thuhej në reagimin e AVONET.

AVONET theksonte se mbi bazën e këtij aktgjykimi Sekretari i Përgjithshëm u.d i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me vendimin nr.01.10641 datë 12.11.2018 Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit Nexhat Krasniqit i është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”. Në nenin e shpallur thuhej se “Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet për kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe të rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil”.

Ndaj këtij vendimi, ai ka parashtruar ankesën A.Nr.745/2018 të datës 16.11.2018 në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMSHCK), të cilën me vendimin nr.7520/2018 datë 10.12.2018 e ka hudhur poshtë si të palejuar.

“Nexhat Krasniqi në cilësinë e propozuesit ka parashtruar propozim me datë 22.11.2018 për përmbarim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil, në bazë të këtij propozimi Gjykata ka nxjerrë Aktvendimin Cp.nr. 2257/18 me të cilin ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit që të lejoj Nexhat Krasniqin të ushtroi detyrën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit dhe të mos marrë asnjë veprim tjetër administrativ për këtë procedurë deri në marrjen e vendimit përfundimtarë nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), lidhur me ankesën e ankuesit, duke mos e prezantuar vendimin e KPMSHC për hudhje poshtë të ankesës. Nga shkresa shihet se vendimi nuk kishte bazë për ekzekutim dhe ligjërisht nuk duhej t’i nënshtrohej përmbarimit nga ana e gjyqtarit”, thuhet në reagimin e AVONET-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm me rastin e vërtetimit të plotëfuqishmërisë të aktvendimit Cp.nr.2257/18 me datë 25.07.2019 nga gjykatësi Arton Fazliu, sipas AVONET-it, ka bërë shkelje absolute të Kushtetutës.

“AVONET konsideron se një veprim i institucionit të rëndësishëm, nuk duhet të ndikohet nga interesat personale dhe grupore të individëve të caktuar, të cilët në shkallë të ndryshme të gjykimit i është vërtetuar vepra penale nga te gjitha instancat gjyqësore. Gjykata dhe gjykatësi i ka shërbyer më së keqi drejtësisë, duke vepruar në kundërshtim me rendin juridik dhe parimin e sigurisë publike, njëherësh duke ulur edhe besimin në sistemin e drejtësisë dhe ulje të imazhit të Kosovës dhe proceseve të saja, siç është rruga drejt integrimit dhe liberalizimit të vizave. AVONET kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që sa më parë të filloj hetimet ndaj gjykatësit Arton Fazliu, sepse raste të tilla nxisin dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe besimit në drejtësi”, përfundonte reagimi.

Exit mobile version