12 vjet nga vrasja e policit elitë të Kosovës, Enver Zymberi në aksionin e famshëm në veri të Kosovës, për herë të parë për RTV Dukagjinin ka rrëfyer mjeku i cili e ka trajtuar Enver Zymberin pak minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Doktori Nuredin Fazliu ka treguar se plumbi nga snajperi i kishte shkaktuar plagë të rënda heroit Zymberi, të cilat më pas ia sollën edhe vdekjen. Fazliu thotë se gjatë intervenimit, Zymberin për tetë herë e kishin rikthyer në jetë
“Tetë herë e ka lëshu zemra, do të thotë ka ra në arrest kardiak, tetë herë e kemi reanimu,” tregon doktori, Nuredin Fazliu, i cili punoi për disa dekada si anesteziolog, mirëpo 26 korrikun e vitit 2011 nuk e harron asjëherë.
Doktori Nuredin Fazliu atë ditë kishte marrë pjesë në trajtimin e policit Enver Zymberi, pak minuta pasi polici i njësisë speciale tashmë i ndjerë ishte goditur nga një plumb snajperi.
Fazliu kujton se plagët ishin shumë të rënda.
“Plumbi ka qenë diku në anën e majtë prej këtij ashtit të mollëzës së faqes, në drejtim të kurrizit të qafës. I ka goditë unazën 2 dhe 3, duke shkuar duke depërtuar nëpër gojë. Gjuha ka qenë praktikisht thuja e këputur, aty pastaj kanë punuar këta kolegët e kemi intubuar, e kemi reanimuar,” ka thënë Nuredin Fazliu.
Fazliu, tash doktor në pension, rrëfen se bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë policin elitë të Kosovës.
“Kthimi në jetë me rregullat e reanimacionit që janë aktuale në gjithë botën, dy, maksimum tri herë, nuk ka logjikë për të bërë kthim në jetë… Në këtë rast tetë herë e kam reanimu, tetë herë e kam kthyer në jetë, herën e tetë e ka mbajtë më deri ka shku në Prishtinë, ekipa e kanë marrë e kanë dërgu për andej,” shtoi Fazliu.
Bashkë me të, ai thekson se punuan edhe shumë mjekë të tjerë.
“Edhe sot i falënderoj kolegët doktor Naser Jasharin, ortopedin Afrim Gucatin e të tjerë kolegë që mu kanë gjendur në ndihmë.”
Pas kthimit tetë herë në jetë, polici Enver Zymberi me helikopter të KFOR-it ishte transferuar në QKUK, mirëpo, brenda pak orësh ishte kumtuar lajmi i rëndë.
“Të gjithë kemi qenë shumë të pikëlluar, shumë të pikëlluar, por kemi qenë krenar se ai aksion nuk u bë për shaka,” u shpreh Fazliu.
Për punën e bërë, Fazliu me kolegë u nderuan më pas me mirënjohje nga Policia e Kosovës, fotografinë e reanimacionit, Fazliu vazhdon ta ruajë me kujdes në shtëpinë e tij.