Site icon PrishtinaPress

Dogana shkarkon nëntë zyrtarë

Dogana e Kosovës ka vendosur të largojë nga puna nëntë zyrtarë doganorë, ndaj të cilëve është në vijim procesi gjyqësor penal.

Sipas një njoftimi për media të mërkurën, Dogana ka thënë se bazuar në hetimet e brendshme dhe procedurën e zhvilluar disiplinore, zyrtarët fillimisht janë suspenduar ndërkaq më pas, në bazë të provave të administruara është vendosur për shkëputje përfundimtare të marrëdhënies së punës.

Nuk janë specifikuar arsyet e shkarkimit të zyrtarëve, megjithatë Dogana ka thënë se veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë qenë të dënueshme dhe paraqesin shkelje të rëndë të Kodit të Mirësjelljes.

“Dogana e Kosovës është e përkushtuar në shërbim të interesit publik dhe të gjithë zyrtarët doganorë duhet me përgjegjësinë më të lartë të përmbushin detyrat dhe misionin e Doganës së Kosovës, që i shërben mbrojtjes së qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës. Në kuadër të stafit të Doganës së Kosovës ka vlera shumë të larta profesionale dhe integritet, të cilat po bëjnë të mundur që me efikasitet të dalluar të luftohen dukuritë që dëmtojnë besimin dhe efikasitetin e organizatës, andaj kërkojmë nga publiku që të bashkëpunojnë me Doganën e Kosovës duke siguruar informata dhe dëshmi që adresojnë kontrabandën dhe korrupsionin”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Exit mobile version