1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Dobitë shpirtërore dhe shëndetësore të agjërimit

Me fillimin e Ramazanit, myslimanët në mbarë botën do të fillojnë të agjërojnë nga agimi deri në perëndim.
“O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim ashtu siç u qe bërë obligim atyre që ishin para jush ashtu që të bëheni të devotshëm.” (Kuran 2:183)
Fjala arabe takua është përkthyer në shumë versione si vetëndërgjegjësimi për Zotin, frika ndaj Zotit, devotshmëri dhe vetëpërmbajtje. Kësisoj, për një muaj rresht na kërkohet të agjërojmë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke mënjanuar ushqimin, pijen, marrëdhëniet intime dhe fjalët e pahijshme.
Por, këtu lind pyetja. Përse duhet të agjërojmë? Të gjithë e kemi provuar se tundimet dhe gjërat tërheqëse të kësaj bote kërkojnë të na e trazojnë pastërtinë dhe thjeshtësinë. Prandaj dhe gjatë gjithë kohës e kemi gojën të mbushur me një kafshatë aty e një kafshatë këtu, gjë që na fryn çdo ditë e më shumë. Konsumojmë sasi të mëdha kafeje, çaji dhe pijesh me gaz. Disa njerëz të dhënë tej mase mbas marrëdhënieve seksuale, nuk mund të rrinë, nëse një gjë të tillë nuk e bëjnë së paku njëherë në ditë. Kur kapemi pas fjalëve me dikë, sjelljen e lëmë mënjanë dhe gjuhës i japim si të na vijë për mbarë, madje duke mos përjashtuar këtu as përleshjet e kacafytjet.
Por kur dikush agjëron, ai apo ajo nuk mund të bëjë asnjërën nga gjërat e sipër përmendura. Kur shikimi vete tek ndonjë ushqim për të cilin të lëshon goja lëng, agjëruesi nuk mundet as që ta provojë e jo më të marrë ndonjë çapë a dy. Këtu nuk përjashtohet as tymosja e ndonjë cigareje tek – tuk. Nuk ka kafe, çaj apo koka-kola. Dëshirave seksuale u duhet vënë fre dhe kur gjendemi apo përfshihemi në ndonjë situatë provokuese, duhet të themi: “Unë jam agjërueshëm, prandaj nuk mund t’i përgjigjem provokimit tënd”. Për të arritur devotshmëri apo afrimitet tek Zoti, prej nesh kërkohet që të falim sa të jetë e mundur namaze vullnetare dhe të lexojmë sa më shumë Kuran.

Dobitë mjekësore të Ramazanit 
Myslimanët nuk agjërojnë sepse Ramazani sjell dobi shëndetësore, të cilat janë të një natyre dytësore. Agjërimi është mbajtur nga pacientë të ndryshëm për të kontrolluar peshën e trupit, për të vënë në prehje sistemin tretës dhe për të ulur sasinë e lipideve. Megjithatë agjërimi i plotë dhe dietat e varfra ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut. Ndërkohë që agjërimi islam ndryshon nga dieta të tilla, sepse gjatë Ramazanit nuk ka kalori apo ushqim të papërshtatshëm që hyn në organizmin e njeriut. Kaloritë që myslimani merr gjatë Ramazanit, janë në të njëjtin nivel apo qëndrojnë pak më poshtë standardit të vlerave ushqyese. Përveç kësaj, agjërimi gjatë Ramazanit është një vepër që kryhet me vullnet të lirë dhe jo një recetë e imponuar nga mjeku.
Ramazani është muaj i vetëkontrollit dhe përmirësimit të vetvetes, me shpresë se një regjim i tillë nuk do të përfundojë me përfundimin e Ramazanit. Nëse mësimeve që mësojmë gjatë Ramazanit, qoftë në vija dietike apo devotshmërie, u përmbahemi dhe pas Ramazanit, ndikimet do të jenë vërtet afatgjata. Për më tepër, lloji i ushqimit që konsumohet gjatë agjërimit nuk karakterizohet nga kritere përzgjedhëse si ai i dietave të mangëta si për shembull tipi i atyre të pasura thjesht në proteina apo vitamina. Çdo gjë që është e lejuar lejohet të konsumohet, por me maturi ama.
Ndryshimi mes Ramazanit dhe agjërimit të plotë qëndron tek përcaktimi i vakteve të ushqimit; në Ramazan, ajo që humbim është dreka, ndërsa mëngjesin e hamë pak me herët dhe nuk hamë më pas, derisa dielli perëndojë. Mos konsumimi i ujit për afro 8-10 orë nuk është i dëmshëm për shëndetin, i cili në fakt mundëson koncentrimin e të gjitha lëngjeve brenda organizmit, duke prodhuar një dehidratim të lehtë. Trupi i njeriut zotëron një mekanizëm që rezervon ujë; në fakt është vërtetuar se dehidratimi i lehtë dhe uji i rezervuar, së paku në botën bimore, shtojnë jetëgjatësinë.
Ndër efektet fiziologjike të agjërimit mund të përmendim uljen e sasisë së sheqerit në gjak, uljen e kolesterolit dhe të trysnisë sistolike të gjakut. Në të vërtetë, agjërimi i Ramazanit do të ishte një rekomandim ideal për diabetikët e mesëm, të qëndrueshëm dhe të atyre me mungesë të plotë insuline, për obezët dhe për njerëzit me hipertension. Në vitin 1994, Kongresi i Parë Ndërkombëtar mbi “Shëndetin dhe Ramazanin” i zhvilluar në Kazablanka, paraqiti 50 studime të imtësishme për etikat medicinale të agjërimit. Ndërkohë që ishin vënë re përmirësime në shumë aspekte mjekësore, u vu re po ashtu se agjërimi nuk e dëmtonte aspak shëndetin e pacientit apo ecurinë e kurës mjekësore. Në anën tjetër, pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, si diabeti i shkallës I, sëmundje të arterieve të zemrës, gurët në veshka etj, përjashtohen nga agjërimi dhe nuk u lejohet të agjërojnë.
Përveç dobive shëndetësore, agjërimi sjell dhe dobi psikologjike. Agjëruesit i përshkon një gjendje paqeje dhe qetësie. Acarimet personale bien në minimum dhe shkalla e krimit zvogëlohet. Myslimanët këshillohen nga Profeti a.s: “Nëse dikush ju fyen apo ju kërcënon, thoni; ‘Unë jam agjërueshëm.’” Kjo qetësi psikologjike ndoshta lidhet me një stabilizim më të mirë të glukozës në gjak gjatë Ramazanit, pasi hipoglicemia pas ngrënies e përkeqëson sjelljen. Gjithashtu një tjetër faktor që ka mjaft ndikim në gjendjen psikologjike të njeriut, është namazi i natës. Kjo nuk mundëson thjesht një konsumim më të mirë të ushqimit, por ndihmon dhe në çlirimin e energjisë. Për çdo njësi të namazit çlirohen 10 kalori më shumë. Megjithatë qëllimi se përse ne falemi nuk janë ushtrimet, edhe pse një lëvizje e avashtë e kyçeve që shfrytëzon më shumë kalori, është një formë e mirë ushtrimi. Ngjashmërisht, leximi i Kuranit jo vetëm që sjell qetësi për mendjen dhe zemrën, por përmirëson dhe kujtesën.
Një ndër netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, quhet nata e fuqisë, në të cilën engjëjt zbresin grupe-grupe dhe përcjellin tek Zoti faljen dhe adhurimin.
Agjërimi është një vepër e veçantë adhurimi vetëm mes njerëzve dhe Zotit, pasi askush nuk e di në të vërtetë nëse dikush agjëron apo jo. Prandaj Zoti thotë në një hadith kudsi: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë di si ta shpërblej”. Në një tjetër hadith, Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush nuk u jep fund fjalëve dhe veprave të mbrapshta, Allahu nuk ka nevojë që ai të rrijë pa buke e pa ujë”./ardhmeriaonline

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img