Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, i cili kishte shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme, ka thënë se ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, qëllimisht i është referuar Manastirit të Deçanit si manastir i Kosovës i listuar në UNESCO për të treguar se, sipas tij, Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe se kjo parashihet në planin franko-gjerman.
Në prag të zgjedhjeve në Serbi, nacionalisti serb po tenton të përdorë Kosovën për të fituar vota, duke thënë se partia e tij nuk do ta pranojë planin franko-gjerman, të cilin tashmë Serbia e ka pranuar.
“Ambasadori gjerman në “Kosovë” e quan Manastirin e Manastirin e Deçanit “manastir të Kosovës në listën e UNESCO-s”. Ky nuk është një gabim i paqëllimshëm, por një nga përcaktuesit më të rëndësishëm të planit “francezo-gjerman” për pavarësinë e Kosovës. Sipas atij plani, “Kosova” duhet të anëtarësohet në TË GJITHA organizatat ndërkombëtare. Një nga të parat është UNESCO, e cila është çelësi për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në mbarë botën”.
Jeremiq propagandon se pas anëtarësimit në UNESCO, shqiptarët do të përvetësojnë objektet e kultit ortodoks serb.
“Aderimi i “Kosovës” në UNESCO, që parashihet me planin “francezo-gjerman”, do të shënonte fillimin e përvetësimit formal të vendeve të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nga shqiptarët. Ai proces nuk do të zgjaste shumë dhe do të përfundonte me vendosjen e Manastirit të Deçanit, Graçanicës, Patriarkanës së Pejës dhe faltoreve të tjera tona nën juridiksionin administrativ të Kishës Ortodokse Shqiptare”.
Ai e shkruan me të mëdha se “duhet të refuzohet plani frank-gjerman” dhe se Qeveria në Serb dhe “opozita properëndimore” nuk janë gati ta bëjnë këtë.
“Votoni për ata që janë dhe që dinë si”, ka bërë fushatë Jeremiq në X.
Shumë opinionistë thonë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit në Serbi do të luhet me kartën e Kosovës.
Rohde në vizitën e tij në Manastirin e Deçanit kishte falënderuar “At Savën dhe vëllëzërit e tij për mikpritjen dhe diskutimin pasurues”.