Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim , rikujton vlerësimin se dita e zgjedhjeve më 9 shkurt u zhvillua në përgjithësi në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze.
Në reagimin e DnV-së thuhet se megjithatë, procesi u cenua nga dështimi i sistemit elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për publikimin e rezultateve preliminare, duke e lënë publikun pa informata deri ditën e nesërme.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve”.
“Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit . Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv
Demokracia në Veprim i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në Qendren Komunale të Numërimit dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.
“Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve”, thuhet tutje në njoftimin e DnV-së transmeton Klankosova.tv
Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.
Demokracia në Veprim do të vazhdojë monitorimin e procesit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.