Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka theksuar se do të monitorojë në mënyrë aktive të gjitha fazat e procesit zgjedhor pas caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
“ Vëzhgimi ynë gjithëpërfshirës do të mbulojë Ditën e Zgjedhjeve – përmes vëzhguesve në terren sipas metodologjisë PVT; tërë procesin e numërimit, trajtimin e ankesave zgjedhore, si dhe periudhën e fushatës. Kjo përfshin vëzhgimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, monitorimin e financimit politik, identifikimin lajmeve të rreme dhe gjuhës nxitëse gjatë fushatës dhe monitorimin e mediave për të matur hapësirën që ato ofrojnë për subjektet politike, përfshirë kandidatet gra gjatë fushatës.
“Ky proces zgjedhor pritet të sjellë risi të shumta, që burojnë nga ndryshimet e fundit në legjislacionin zgjedhor, përfshirë rritjen e votës preferenciale nga pesë në 10 kandidatë, numërimin e votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe mundësi të reja për të votuar nga ata që jetojnë jashtë vendit.”
DnV i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të fillojë me fushata intensive për informimin dhe edukimin e votuesve.
“ Për më tepër, ne u bëjmë thirrje edhe partive politike dhe kandidatëve të tyre që të marrin një rol më proaktiv në informimin e votuesve lidhur me ndryshimet e fundit”, thuhet në një njoftim për media të “Demokracisë në Veprim”