Site icon PrishtinaPress

Djegia e veturave në Veri, Presidenca: Serbia po përpiqet të krijojë klimë frike para zgjedhjeve të 23 prillit

Dy netët e fundit, persona të panjohur u kanë vënë flakën disa veturave të qytetarëve serbë në veri të vendit. Lidhur me këtë kanë reaguar edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

Blerim Vela, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve lokalë.

Sipas Velës, kjo lidhet edhe me zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore, duke thënë se Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës! Mbrëmë janë djegur edhe 3 makina të tjera vetëm se kishin targa ????????. SRB po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit”, shkroi ai.

Ndryshe mëngjesin e djeshëm dy qytetarë kanë kërkuar nidhmën e Policisë në Zubin Potok, pasi të njëjtit kanë deklaruar se gjatë natës, persona të panjohur u kanë djegur veturat e tyre private të cilat ishin të parkuara para shtëpive të tyre.

Sipas ankuesve, veturat ishin me targa RKS dhe ishin regjistruar rreth një javë më përpara.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate edhe tri vetura të tjera të qytetarëve serbë në veri të vendit kanë qenë cak i keqbërësve. Persona ende të paidentifikuar, dyshohet se u kanë vënë flakën automjeteve të cilat ishin të parkuara në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.

Kujtojmë se raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia./PrishtinaPress/

Exit mobile version