Site icon PrishtinaPress

Djegia e veturave në veri/ Osmani: Jemi në luftë kundër bandave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj djegies së veturave që po ndodhin në veriun e vendit, për qytetarët që po i konvertojnë targat në RKS.

Osmani ka thënë se Kosova është në luftë kundër bandave, duke aluduar në strukturat ilegale në veri.

“Pakica që nuk i ka konvertuar targat, është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Lufta jonë është kundër bandave. Në luftën tonë për sundim të ligjit, presim të kemi përkrahje të aleatëve tanë”, tha Osmani

Ajo tha vendimi për targat nuk është kundër qytetarëve serbë.

“Sa i përket targave, tema që duhet të diskutohet sot është pak më ndryshe. Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po iu djegen shtëpitë, makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë, dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Asesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë”, theksoi presidentja e vendit.

Osmani foli edhe për paralajmërin e Listës Serbe, se nëse konfiskohen veturat e serbëve, do të ketë bllokim të rrugëve.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo spjegon gjithçka. Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin. Kjo është ajo piktura e madhe që vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin, është çështje e zbatimit të ligjit. Respektim i parimeve e standardeve më të larta. Po e zbatojmë ligjin”, tha Osmani në konferencë.

Për targat, presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen tha se rregullat duhet të respektohen, pa dashur të përgjigjet konkretisht.

“Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen. Rregullat janë të qarta. Në të njëjtën kohë, nëse ka periudhë tranzicioni, duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet. Unë e di që po punohet për të gjetur zgjidhje, dhe uroj për përpjekjet që po bëni në kuadër të dialogut”, tha Von der Leyuen.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Propozimi franko-gjerman

Presidentja e Kosovës ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ajo e pranoi që ka një dokument franko-gjerman, por theksoi se detajet ende nuk dihen.

“Sa i përket dialogut është proces që Kosova është e angazhuar, e përkushtuar, e ky përkushtim e angazhim për paqe e stabilitet, nuk do të mungojë”, tha Osmani.

“Asnjëherë nuk e kam mohuar, ky është konstatim i gabuar. Në çdo deklaratë kam thënë se ekziston një iniciative franko-gjermane e cila do t’i spjegohet Kosovës gjatë javëve në vazhdim. Do të ketë takime të institucioneve të Kosovës nën udhëheqjen e BE-së me palën gjermane dhe franceze në mënyrë që detajet e kësaj iniciative, ka për qëllim paqen dhe stabilitetin, të spjegohen në detaje. Sapo të merren këto përgjigje ne do t’i shpalosim para qytetarëve”, theksoi presidentja e Kosovës.

Në konferencën e Osmanit me Von Der Leyen u tha gjithashtu se Kosova i ka plotësuar kriteret për viza.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave. E di sa e rëndësishme është për ju. I keni përmbushur të gjitha standardet. Kemi rikonfirmuar se keni plotësuar kriteret. Detyra jonë është të bindim tërë Këshillin Evropian, shumica janë në anën tuaj. Këto diskutime kanë rifilluar kemi punuar me presidencën çeke mjaft shumë. Mund të llogarisni në mua personalisht. E keni bërë këtë punë mbresëlnëse përkundër shumë vështirësive, luftës të Rusisë ndaj Ukrainës”, deklaroi Von Der Leyen.

Ndryshe, Lista Serbe ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve./Prishtinapress/

Exit mobile version