Site icon PrishtinaPress

Djegia e Muzeut të Muzikës, Kusari-Lila me akuza për qeverisjen aktuale në Gjakovë

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila shprehet e trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Ajo thotë se organet kompetente duhet të përgjigjen se kush e dogji, pasi sipas saj, dihet kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajnë e ta ruajnë

“Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashigimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, thotë ajo.

Postimi i plotë:

E trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Objekti përveq se ishte objekt nën mbrojtje, kishte vlerë dhe rëndësi të veçantë për ridestinimin që ia dhamë në Korrik të vitit 2016.

Gjakova dhe muzika e krijuar ndër gjenerata kanë qenë jo vetëm shprehje e talentit për veprimtari krijuese, por edhe mënyrë se si Gjakova i ka rezistuar shtypësve të një pas njëshëm duke ruajtur shpirtin e saj dhe duke e përcjellur gëzimin, dhimbjen dhe lavdinë e rezistencës e trimërisë gjeneratë pas gjenerate.

Andaj në mandatin tim si Kryetare e Komunës së Gjakovës, e vlerësuam se ishte më se e nevojshme të kishte një destinim për historinë e krijimtarisë muzikore nga Gjakova, vlerē kombëtare për gjithë shqiptarinë.

Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilen përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe t’a ruajë Muzeun, dihet. Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashigimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale.

Ky objekt duhet medoemos të rikthehet ashtu siç ishte. Duhet tē rindërtohet dhe për të duhet të kujdeset  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas rindërtimit duhet t’a merr menaxhimin dhe përkundesjen ndaj tij me destinimin paraprak, Muzeu i Muzikës shqipe.

Komuna nuk e ka as interesimin dhe as kapacitetin të ruajë dhe mbledhë artifaktet muzikore. Në vitin 2016 ishte bërë i tillë me kujdesin dhe përkushtimin e drejtorit të Kulturës të asaj kohe, Meriton Ferizi, për çfarë i jam mirënjohëse.

Por, menaxhimi dhe përkujdesja e vazhdueshme me mundësi të mirëmbajtjes së mirëfilltë të Muzeut do të jetë sfidë gjithmonë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përhershme.

Të shkatërosh është gjithmonë më lehtë se të ndërtosh e ruash, por vlerësohemi për çfarë ndërtojmë e lëmë pas dhe jo çfarë shkatërrojmë.

Për rikujtesë, po ndaj fotot nga inaugurimi i Muzeut të Muzikës, 17 Korrik 2016!

Exit mobile version