Site icon PrishtinaPress

Djegia e flamurit të Serbisë midis Tirane – vjen reagimi i Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në facebook, lidhur me praninë e flamujve të Serbisë, në kuadër të vizitës së Presidentit Vucic, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Komentuesi i shkruan Ramës se flamuri i krimeve, masakrave e përdhunimeve, është ngritur sot në Tiranë.

“E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare” -shkruan Rama.

Tirana është dekoruar me flamuj të Serbisë dhe të Maqedonisë Veriore, për t’i pritur aty dy bashkëpunëtorët e Edi Ramës në “Ballkanin e Hapur”, presidentin serb, Aleksandër Vuciq dhe kryeministrin e dorëhequr maqedonas, Zoran Zaev.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestë për ta kundërshtuar shkuarjen e Vuciqit në Tiranë. Disa prej pjesëmarrësve i kanë vënë flakën dhe kanë shkelur me këmbë një flamur të Serbisë. Pas këtij veprimi ata kanë bërë thirrje kundër Serbisë dhe kundër nismës së Ballkanit të Hapur.

Exit mobile version