0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Dje u hap ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim” në Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka hapur ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim”.

Ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim” me anë të materialeve të ndryshme bibliotekare, të cilat janë pjesë e Koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, synon të shpërfaqë përpjekjen dhe luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi si dhe sfidat e sakrificat për shtetësinë e Kosovës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z.Fazli Gajraku, në hapje të kësaj veprimtarie tha se kjo ekspozitë, që është një strukturim i zhvendosur nga një ngjarje te tjetra përgjatë historisë më të vonë të Kosovës, mund të na ndihmojë të rikujtojmë momente të caktuara të këtij realiteti nëpër artikujt e gazetave të Kosovës, si dhe të librave, që janë brenda shenjëzimit dhe afirmimit historik, kulturor, politik e juridik të Kosovës dhe të të drejtës së saj për liri dhe pavarësi, duke pasuruar diskursin për të vërtetën për Kosovën.

Në emër të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, hapjen e ekspozitës e përshëndeti, Zv-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – z. Feim Hoxha. Ai tha se kjo formë e ekspozimit të artikujve të gazetave dhe librave, është një ftesë për t’i njohur dhe për t’i rikujtuar sakrificat dhe sfidat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe të afirmimit të ndërgjegjes demokratike dhe patriotike të shoqërisë së Kosovës, që mund të lexohet nëpërmjet një pamjeje më të gjerë të rezistencës paqësore, të pajtimit kombëtar, të mënyrës së mbijetesës institucionale, të solidaritetit, të luftës për liri, të rolit të diplomacisë ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së saj për të shpëtuar popullin e pafajshëm dhe të ndërtimit të sistemit shtetëror demokratik.

 

I pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Arbër Vokrri. Ai tha se kjo ekspozitë sjell në kujtesë ngjarje të rëndësishme dhe se është e rëndësishme që të vizitohet nga të rinj, diplomatë dhe zyrtarë ndërkombëtarë.

Ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim” do të qëndrojë hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 14 mars.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img