3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Djathtistët serbë në Dumën ruse, kundër pavarësisë së Kosovës

Dy deputetëve nga Serbia, janë paraqitur në Dumën ruse duke mbajtur në duart e tyre një flamur me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Ata në këtë mënyrë u kanë përcjellë mesazhin zyrtarëve rusë në Moskë, më 16 mars, se kundërshtojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Propozimi evropian do të jetë pika kryesore në agjendën e takimit të ardhshëm mes presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Ohër, gjatë të cilit zyrtarët perëndimorë presin përparim në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Propozimi, megjithatë, teston mundësitë e brendshme për Aleksandar Vuçiqin, i cili po përballet me protesta e djathtistëve.

Dy deputetët, të cilët përcollën qëndrimin e tyre tek zyrtarët rusë në Moskë, i përkasin lëvizjes së djathtë Dveri.

 

Dveri është pjesë e bllokut të opsioneve të djathta në Parlamentin e Serbisë – koalicioni i Nada (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit) – i cili paralajmëroi protestë në Beograd, për 17 mars.

Kërkesa kryesore në këtë protestë do të jetë refuzimi i propozimit evropian për Kosovën.

Ky propozim për zgjidhjen e kontestit të gjatë me Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia refuzon ta njohë, u pranua në fund të shkurtit nga Vuçiq dhe Kurti.

Protesta e forcave të djathta është paralajmëruar të mbahet një ditë para takimit të ri ndërmjet presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë i thanë në Moskë deputetët nga Dveri?
Më 16 mars, siç thuhet në faqen e internetit të Dveri, deputetët e kësaj lëvizjeje, Ivan Kostiq dhe Borko Pushkiq, në një bisedë me deputetët e Dumës ruse, shprehën mendimin se propozimi evropian është “shkatërrues për Serbinë”.

 

Në deklaratën e lëvizjes Dveri thuhet gjithashtu se deputetët e tyre, në Moskë kanë vlerësuar se Rusia padyshim kujdeset më shumë për interesat e Serbisë sesa autoritetet serbe.

Rusia është në mesin e vendeve që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, si dhe bllokon anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.

Kjo është një nga arsyet pse autoritetet në Serbi nuk vendosën sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.

Ndaj pyetjes së REL-it se a kanë mbështetjen ruse për protestat që po organizojnë në Serbi, Dveri nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Dy deputetët e lëvizjes Dveri u takuan edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 14 mars, në kongresin themelues të Lëvizjes ndërkombëtare të rusofilëve.

 

Pjesëmarrësve të atij kongresi, u ka dërguar mesazh edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

“E vlerësojmë shumë vendosmërinë tuaj të fuqishme për të kundërshtuar fushatën rusofobike dhe për të zhvilluar dialog dhe bashkëpunim kulturor reciprokisht të dobishëm”, tha Putin.

Lëvizja ndërkombëtare e rusofilëve është paralajmëruar si një tubim i miqve të Rusisë dhe atyre që e duan historinë dhe kulturën e saj, kundër “fushatës së ashpër anti-ruse të Perëndimit”.

Lëvizja u formua në kohën kur Rusia gjendet nën izolimin ndërkombëtar për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje dhe po përballet me akuza për krime lufte në atë vend.

Zavetnici kërkoi përfshirjen e Rusisë në bisedimet për Kosovën
Dveri nuk është i vetmi opsion parlamentar i krahut të djathtë, i cili në Moskë sheh bashkëbisedues për politikën e saj ndaj Kosovës.

 

Në shkurt të vitit 2022, në Moskë, kryetarja e Zavetnici (Të betuarit), Millica Gjurgjeviq – Stamenkovski, deputetëve të Dumës ruse dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme u paraqiti propozimin që Rusia t’i bashkohet negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mediat raportuan se ajo ishte në Moskë pak para agresionit rus kundër Ukrainës, si kandidate në zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Në ato zgjedhje të mbajtura në prill të vitit 2022, Aleksandar Vuçiq fitoi mandatin e dytë presidencial.

Një delegacion i Zavetnici qëndroi në Moskë edhe në dhjetor të vitit 2022.

REL-i ka kontaktuar me Millica Gjurgjeviq – Stamenkovskin, kryetaren e partisë Zavetnici, me pyetjen se a kanë mbështetjen e Rusisë për protestat kundër propozimit evropian për Kosovën.

“Sigurisht, nëse Putini nuk arrin të vijë në tubim, ai do të delegojë Lavrovin të flasë në vend të tij”, u përgjigj ajo përmes një mesazhi telefonik.

 

Ajo nuk iu përgjigj kërkesës për të saktësuar nëse kjo do të thotë se ata kanë mbështetjen e Rusisë për protestat.

Beshiri: Moskës i konvenon status quo-ja në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës
Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se Moska dëshiron të ekzistojë një faktor destabilizues në rajon.

“Moska është e bindur se nëse do të humbiste çështjen e Kosovës, e më pas edhe çështjen e Republikës Sërpska, [lideri i serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad] Dodikut dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të humbiste plotësisht çdo ndikim në Ballkan”, tha Beshiri.

Ai shtoi se kjo do ta izolonte plotësisht Rusinë, pas agresionit kundër Ukrainës.

Millorad Dodik, kryetar i Republikës Sërpska, një nga entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, u takua dy herë me presidentin rus, Vladimir Putin, që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës.

 

Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështje Evropiane, tha se Rusisë i konvenon status quo-ja në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Që ky konflikt i ngrirë të ruhet, sipas tyre, deri te disa momente të ardhshme gjeopolitike”, shtoi Beshiri.

Që nga pushtimi rus në Ukrainë, ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë intensifikuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi për mundësinë e ndikimit rus.

Më 15 mars, Lajçak deklaroi se pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zvogëlonte hapësirën që Rusia të ndërhyjë në ngjarjet në rajon dhe të krijojë kaos.

 

“Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, stabilizimi i Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm për BE-në se kurrë më parë”, tha Lajçak.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës online “Evropa dhe Rusia në frontin Ballkanik” të organizuar nga Instituti italian për Studime Politike Ndërkombëtare.

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk nënkupton njohje reciproke, por obligon Serbinë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke u mbështetur, lidhur me këtë çështje, në përkrahjen e Rusisë dhe Kinës në Kombet e Bashkuara.

Kjo është një nga arsyet pse autoritetet në Serbi nuk vendosën sanksione ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës.

Organizatorët e protestës bënë të ditur se përveç refuzimit të propozimit evropian për Kosovën, do të kërkojnë edhe dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet.

 

Përfaqësuesit e këtij grupi të partive e konsiderojnë propozimin evropian si ultimatum për njohjen e Kosovës.

Këto grupime të djathta kanë 34 nga 250 ulëset e deputetëve në Parlamentin e Serbisë.

Serbia është shteti i rrallë, në të cilin tubimet organizohen nga partitë dhe grupimet me orientim pro-rus.

Protestat në mbështetje të Rusisë, që kur ky shtet pushtoi Ukrainën, janë organizuar nga grupi i ekstremit të djathtë “Patrulla e Popullit”, i cili flet publikisht për lidhjet e tij me paraushtarakët rusë nga formacioni Wagner.

Disa pjesëmarrës në ato protesta mbanin simbolet e Wagner-it dhe simbole mbështetëse për pushtimin rus.

Udhëheqësi i “Patrullës Popullore”, Damjan Knezheviq, ndodhet në paraburgim që nga 16 shkurti.

Prokuroria dyshon se ai, më 15 shkurt, në protestën kundër propozimit evropian për Kosovën, para Presidencës së Serbisë u ka bërë thirrje qytetarëve për rrëzimin dhe ndryshimin e pushtetit me dhunë.

Serbia nuk e sheh si problem të djathtën ekstreme dhe ekstremizmi i djathtë nuk përmendet në strategjinë e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për periudhën 2019-2023./REl/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img