Site icon PrishtinaPress

Djali i Isa Mustafës, Besniku sqaron punën e terminalit: VV po mundohet të na shantazhojë dhe frikësojë

I biri i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Mustafa ka reaguar sot, pas një videoje të publikuar nga lëvizja Vetëvendosje, ku djemtë e Mustafës akuzoheshin si përfitues të një terminali, duke pretenduar se me qeverisjen e Vetëvendosjes ai është shtetëzuar.

Besnik Mustafa, akuzën e VV-së e ka quajtur shantazh, gënjeshtër dhe tentim frikësimi. Ai ka thënë se për konstruksione të tilla të rrejshme, akuzuesit duhet të japin llogari para ligjit.

Ai ka thënë se kompania “Intereuropa”, me fushëveprimtari në shpedicion e transporti është kompani sllovene dhe nuk është e familjes së tij.

“Sot, si djem të Isa Mustafës, u akuzuam dhe u shantazhuam nga mediat e VV-së, -parti në pushtet për Terminal Doganor. Kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenis. Por pushteti, për nevoja të propagandës, kompaninë Sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes tonë. E gjithë kjo për të  shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim. E unë u them, urdhëroni dhe konfiskone ose mbylleni këtë kompani  por do të keni punë me Shtetin Slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë, por para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë”, ka shkruar ai në një reagim.

Mustafa i është drejtuar VV-së, duke thënë se partia tanimë është në pushtet dhe ka mundësinë që të sqarojë pronësitë e kompanive.

Pretendimin se kjo kompani sllovene ishte e familjes Mustafa, Besniku e ka quajtur gënjeshtër e konstruktuar.

“Jeni në pushtet, i keni të gjitha mundësitë për të sqaruar pronësitë e kompanive, themeluesit e tyre dhe fitimet që ato i realizojnë edhe në rastin e terminalit që na e mveshni neve, që në fakt është gënjeshtër e konstruktuar, si për pronësinë ashtu edhe për fitimet. Për gjera të tilla, shantazhim, tentime frikësimi konstruksione të rrejshme edhe bartësit e pushtetit japin llogari para ligjit”, ka shkruar ai.

Exit mobile version