Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë me gazetarin Berat Buzhala, për 15 vjetorin e pavarësisë, ka zbuluar detaje interesante.
Fillimisht, Thaçi ka rrëfyer se ka lindur në Zvicër, pasi nëna e tij ishte refugjate.
“Po atëherë ka qenë lufta duke u zhvilluar në Kosovë, unë kam lind në Zvicër, nëna ka shku në Zvicër si refugjate, si mijëra shqiptarë. Ka qenë e vetmuar atje, babi ka qenë në Kosovë në fushëbetejë, duke luftuar për Kosovën me shokët e tij”, ka thënë ai.
Tutje, Endrit Thaçi në këtë intervistë dhënë për Nacionalen, ka thënë se gjatë luftës ka pasur momente të vështira, derisa ka folur edhe për familjarët që kanë vdekur gjatë asaj periudhe.
“Kanë qenë disa momente të vështira për familjen tonë, sidomos për nënën, sepse ditën kur kam lindur unë, nënës i ka vdekur nëna. Pas disa javësh, në masakrën e Studimes, atëherë i ka vdekur edhe vëllai edhe djali i vëllait”, ka thënë ai.