Analisti politik, Sadri Ramabaja, njeriu i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se më së largu të hënën bëhet publik koalicioni formal i partisë së Albin Kurtit me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.
“Është në proces përfundimi koalicioni formal me Nismën Socialdemokrate që drejtohet nga Fatmir Limaj. Dhe më së largu deri ditën e hënë bëhet publike marrëveshja”, tha Ramabaja.
“Gjasat që të dështojë formimi i qeverisë në tentativën e parë janë tepër të vogla”, shtoi ai, për MCN TV” në Shqipëri.
Por, duket se gjithçka nuk do të jetë kaq e thjeshtë pasi tre votat e NISMA-s që supozoheshin të mbyllnin hallin e madh të Vetëvendosjes për të ndërtuar qeverinë, tashmë del se s’po kryejnë punë.
Kjo pasi plusi i atyre tre votave të NISMA-s është kundërpeshuar nga një minus-tre-vota te pakicat jo serbe.
Megjithatë, nuk dihet se si do të arrihet marrëveshja VV-Nisma, kur zyrtarisht liderët dy partive ende nuk e kane pasur asnjë takim.
Së paku kështu ka thënë para disa ditësh, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, i cili i ka mohuar raportimet për një takim ndërmjet liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt të NISMA-s.
Konjufca pas takimit që pati me partitë politike ku u bisedua për përgatitjet e seancës konstituive të Kuvendit, tha se “ky është spekulim”.
“Ne deri tash nuk kemi pasur kurrfarë takimi sa i përket subjekteve të tjera politike, akti i parë është zyrtar, që ju e keni mësuar është letra e kryeministrit për LDK-në. Gjithçka jashtë kësaj ju lus ta merrni me rezervë”.
“Të tjerat janë spekulime. Vetëm akti i parë me të cilën po fillon përpjekja për konstituimin e institucioneve të reja sa i përket koalicionit të ardhshëm. Jashtë kësaj dhe jashtë letrës së kryeministrit, janë spekulime”, tha Konjufca.
Mbetet të shihet nesër, nëse Kurti dhe Limaj do të shpalosin koalicionin formal ndërmjet tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.