Dita e premte ka shënuar tri vdekje tragjike në Kosovë. Një 19 vjeçar ka ndërruar jetë pasi është therur me thikë pas mesnatës në Gjilan. Në Mitrovicë, ndërkaq, një 20-vjeçar ka vdekur në një vetaksident. Në aksident ka vdekur edhe një 21-vjeçar në Komunën e Vushtrrisë.
Qyteti i Gjilanit është tronditur mbrëmë rreth mesnatës. Një person në këtë komunë është therur me thikë, ndërsa pas lëndimeve që ka marrë ka ndërruar jetë.
Detaje për rastin ka dhënë Policia e Kosovës. Për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se 19-vjeçari dyshohet se është sulmuar me mjete të mprehta.
“Me datë 23.10.2020 rreth orës 00:06, stacioni policor në Gjilan ka marrë një informatë se në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan, është një person i lënduar, dyshohet me mjet të mprehtë. Patrullat policore i janë përgjigjur informatës, ku në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën E. S. (2001). Viktima është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal në Gjilan, më pastaj është dërguar në QKUK-në Prishtinë”, ka deklaruar Hashani.
Sipas Hashanit, deri tash nuk ka të arrestuar për këtë rast. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori i shtetit, njësitet e hetimeve dhe forenzika rajonale. Rreth orës 01:55 nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima i dërguar nga Gjilani në Prishtinë kishte ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë dërgohet në IML. Për momentin askush nuk është arrestuar. Policia e Kosovës po punon intensivisht në zbardhjen e rastit”, ka thënë Hashani.
Pos tragjedisë në Gjilan, një rast i rëndë ka ndodhur edhe në Mitrovicën e Jugut.
Një 20-vjeçar nga Mitrovica ka vdekur pas një vetaksidenti në këtë qytet. Bashkë me të në veturë kanë qenë edhe dy persona, njëri prej të cilëve është në ndalim policor, si shkaktar i aksidentit.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Po, ka ndodhë një vetaksident gjatë natës. Dyshohet se shoferi ka humbur drejtimin e automjetit dhe ka dalë jashtë rrugës. Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një 20-vjeçar. Drejtuesi i automjetit është në ndalim policor, pasi që dyshohet si shkaktar i aksidentit. Në veturë me të kanë qenë edhe dy persona, por për gjendjen e tyre akoma nuk kemi detaje”, ka thënë Zahiti.
Në raportin 24-orësh, ndërkaq, policia ka njoftuar edhe për një vdekje. Bëhet fjalë për një 21-vjeçar që ka ndërruar jetë në një aksident trafiku.
“Raportohet se ka ndodhur një vetë aksident trafiku ku një veturë me targa vendore me ngasës të dyshuarin m/k ka goditur një shtyllë të betonit me ç’rast i dyshuari ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ndihma e shpejtë të cilët e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë dërguar në emergjencën e Vushtrrisë prej nga e kanë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, Prishtinë ku edhe ka ndërruar jetë.
Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit i cili urdhëron që rasti të hapet si i tillë dhe trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.