Site icon PrishtinaPress

Dita e Forcës, Maqedonci: Synimi ynë është anëtarësimi në familjen evropiane dhe në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se ushtria po ngritë kapacitetet e saj në vazhdimësi përmes investimit në armatime.

Maqedonci, mes tjerash theksoi se festat e nëntorit historikisht i kanë bashkuar shqiptarët anembanë trojeve.

“Po fillojmë festën me Ditën e Forcës, ushtrisë që është jetësim i ëndrrës tonë shekullore, simbol krenarie e garancë e një jetë të sigurt për gjithë qytetarët e Republikës, kufi i pakalueshëm për këdo që tenton të cënoj territorin e këtij shteti”, ka thënë Maqedonci.

“Ushtria jonë po ngritë kapacitetet e saj në vazhdimësi përmes investimit në armatime, përmes vajzave dhe djemve sypatrembur që me krenari e fisnikëri bartin uniformën e FSK-së, emblema e së cilës është e përbashkëta e kombit, shqiponja e flamurit që na rikujton idealet e dëshmorëve tanë, historinë poaq sa edhe origjinën që përtej kufijve e në secilin prej nesh frymon lirshëm”.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se synimi është anëtërësimi në NATO.

“Shumë rrugë kemi bërë që nga dalja e parë publike e UÇK-së e deri tek formimi i ushtrisë sonë FSK-së në shtetin e pavarur të Kosovës”.

“Luftuam për të drejtën, lirinë, për paqen, dhe përpjekjet e popullit tonë liridashës do të vazhdojnë përkrah partnerëve tanë strategjik. Synimi ynë është anëtarësimi në familjen evropiane dhe në NATO, nga ku do i kontribuojmë paqes që duhet mbizotëruar gjithandej globit, mbrojtjes së vlerave demokratike që janë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e njerëzimit, lirisë univerzale të njeriut. Urime të gjithëve Dita e Forcës, Dita e Ushtrisë sonë!”.

Exit mobile version