Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizon sot tryezën e diskutimit me temë “4 vite pas Marrëveshjes së Prillit midis Kosovës dhe Serbisë: Sa po ndihmon dialogu politik?”
Kjo tryezë diskutimi ka për qëllim të diskutojë arritjet dhe sfidat në dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është promovuar si objektivë kryesore e politikës së jashtme të BE-së, ndërsa Kosova dhe Serbia duket se kanë mosmarrëveshje të thella me objektivat dhe dinamikën aktuale të këtij procesi.
Në këtë tryezë, për më tepër, do të analizohet ndikimi që ky dialog ka pasur gjatë këtyre viteve, në kuptim të ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, do të diskutohet rreth agjendës së dialogut si dhe strategjisë së Qeverisë së Kosovës kundrejt këtij dialogu.
Gjatë këtij diskutimi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, do të prezantojë një studim i cili analizon rrugëtimin e dialogut politik Kosovë-Serbi gjatë këtyre 4 viteve si dhe shpalos sfidat e dala gjatë zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, hartuar nga z. Agron Bajrami.
Gjithashtu, do të adresohen sfidat aktuale në procesin e dialogut, ndikimin e tij tek palët sa i përket mirëbesimit si dhe entuziazmin e BE-së për të vazhduar këtë proces.
Panelistët janë: Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës së Kosovës; Znj. Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë dhe Agron Bajrami. Kryeredaktor nga Koha Ditore.