Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka pasur një “diskutim të hapur” me të Dërguarin e Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me takimin e nesërm me Aleksandar Vuçiq.
Kurti, që në këtë takim ishte së bashku me Besnik Bislimin, ka thënë se qëllimi i bisedimeve duhet të jetë arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqëndruar në njohje reciproke në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
“Ne patëm një diskutim të hapur me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak përpara bisedimeve të nivelit të lartë nesër. Qëllimi i këtyre bisedimeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme të përqendruar në njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, me qytetarët si përfitues përfundimtarë”, ka shkruar ai në Twitter.
Nesër parashihet që të ketë takim të nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vucic.