Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që në pesë mandate ishte deputete e Kuvendit ka folur për shpenzimet e udhëtimit në kohën kur ishte një nga 120 ligjvënësit.
Tha se kur ishte regjistruar atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim.
“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, tha Osmani për RTK’në.
“Në mandatin e parë natyrisht unë jam zgjedhur nga Mitrovica, diku 90 për qind e votave të mija kanë qenë nga atje. Jam regjistruar ashtu, mirëpo asnjëherë, askush, aty në Kuvend nuk thotë që regjistrimi për webfaqe ka të bëjë me ndonjë kompensim, kurrën e kurrës”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, derisa ajo banonte në kryeqytet.