Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), edhe pse ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, mbajtjen e seancës për formimin e Qeverisë Hoti, ende nuk dihet saktë nëse i kanë numrat.
Ndonëse nga kjo parti thonë se i kanë siguruar numrin e mjaftueshëm të votave për krijimin e qeverisë, disa nga deputetët e kësaj partie nuk kanë treguar nëse do të votojnë pro.
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në seancën e Kuvendit të Kosovës do të merret vesh nëse do ta votojë ose jo formimin e Qeverisë Hoti.
Edhe deputeti i së njëjtës parti, Fatmir Rexhepi, nuk ka treguar nëse do ta votojë apo jo Qeverinë Hoti.
Ndërkaq, ende nuk dihet edhe mendimi i kryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga kjo parti politike, nëse do të jetë pro apo kundër kësaj Qeverie, raporton Telegrafi.
Ndryshe, edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka komentuar sot zhvillimet politike dhe angazhimet e tij në politikën qendrore, duke thënë se ka faza kur është angazhuar më shumë ose më pak.
“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri.