Site icon PrishtinaPress

Diplomati serb: Me deklaratën për Donetskun dhe Luanskin, Putini njohu pavarësinë e Kosovës

Diplomati serb, Sreçko Gjukiq tha sot se presidenti rus Vladimir Putin, duke deklaruar se vetëvendosja dhe pavarësia e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut bazohen në precedentin e Kosovës, në fakt deklaroi se e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në një takim të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, presidenti rus Putin tha se të vetëshpallurat republikat e Donetskut dhe Luhanskut u bënë të pavarura në analogji me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë, i cila, siç tha ai, u mbështet nga të gjithë.

“Në fakt, Putin deklaroi se ai njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjithçka që Kosova me sponsorët e saj kanë bërë për këtë”, ka thënë për “Beta” Gjukiq, ish-ambasador i Serbisë në Bjellorusi dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Siç tha ai, precedenti njihet si pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe “këtyre fakteve të prezantuara dje, duhet shtuar se pala ruse në vitin 2008 i është referuar precedentit të Kosovës në rastin e shpalljes së pavarësisë dhe njohjes nga Moska të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë”.

“Me këtë lëvizje, Moska ndoshta ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e Kosovës dhe sigurisht në lehtësimin e pozicionit për zgjidhjen e saj ndaj Uashingtonit dhe gjithë Perëndimit”, tha Gjukiq.

Ai shtoi se Beogradi, si shumë herë, mbetet në binarin historik të moskuptimit të interesave dhe marrëdhënieve të mëdhenjve, duke ndjekur verbërisht politikën e dy-tri karrigeve, e cila në fund u shndërrua në politikë të “strucit”.

Për dallim nga diplomati serb, publicisti dhe ish-diplomati, Blerim Reka, duke reaguar pas deklarimeve të presidentit rus, se Donetsku e Luhansku janë bërë shtete të pavarura sipas analogjisë së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës, ka thënë se “analogjia” e Putinit synon mbajtjen e Serbisë në orbitën ruse para ‘hapjes së letrave’ në ‘pokerin e madh’ në East River.

Ndryshe, presidenti rus Putin në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres,të martën ka thënë se ka lexuar personalisht vendimin e GJND-së për Kosovën dhe se me atë rast GJND-ja ka krijuar precedent dhe bazuar në këtë edhe Republika e Donetskut dhe e Luhanskut mund ta shpallin pavarësinë.

Donetsku e Luhansku janë dy territore separatiste në lindje të Ukrainës, pavarësinë e të cilave e ka njohur Rusia.

Exit mobile version