Site icon PrishtinaPress

Diplomati gjerman: Deklarata e Vuçiqit është retorikë e rrezikshme që krijon tensione

Boris Ruge ambasador karriere i Gjermanisë dhe zëvendës kryetar i “Konferenca për Siguri e Mynihut” thotë se deklarata e presidentit të Serbisë për mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Ballkan ngjashëm me atë në rajonin e Nagorni Karamakut është retorik e rrezikshme që krijon tensione.

Në një intervistë për KosovaPress Ambasador Ruge tha se Vuçiq është në një situatë ku mund të sigurohet që të mos shpërthejë konflikti, sepse nuk shoh ndonjë gjë që Kosova mund të bëjë që do të provokonte konflikt mes dy shteteve.

Ambasador Ruge foli edhe për pritjet që Bashkimi Evropian që i ka në raport me administratën e presidentit të ardhshëm amerikan Joe Biden dhe përpjekjet e përbashkëta për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasador Ruge e sheh si jetike bashkëpunimin në mes SHBA-së dhe BE-së për të minimizuar ndikimin e Rusisë në Ballkan që sipas tij kjo e fundit nuk ka qenë dobiprurëse në proceset e perspektivës evropiane të Kosovës dhe Serbisë

Intervista e plotë:

Pyetja: Z. Ambasador, viteve të fundit jemi dëshmitar të një rënie drastike sa i përket marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Unionit Evropian. Sipas mendimit tuaj, a do të kemi kthim të këtyre marrëdhënieve? Do të thotë, rikthim i vlerave dhe formave të bashkëpunimit të ndërtuar vit me parë mes këtyre dy palëve?

 

Ambasador Ruge: Mendoj se po. Po. Atëherë, siç dihet Joe Biden është Presidenti i zgjedhur. Atë e njohin shumë mirë në Evropë, dhe një dallim i madh mes Presidentit Trump dhe Presidentit të zgjedhur është se Presidenti Trump e ka parë Evropën si një rival të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse Joe Biden thekson që Evropa është një partner i afërt i Shteteve të Bashkuara. Biden do t’i zgjas dorën Unionit Evropian dhe pjesëtarët e saj, shteteve si Gjermania, dhe të punojnë së bashku me këta aktorë në Evropë për t’i trajtuar problemet më të mëdha që mund të kemi përpara.

Pyetja: Deri sot, nuk ka ndonjë shenjë që administrata Biden do të dorëzohet në qëllimin për të normalizuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, iniciativë kjo e filluar nga administrata Trump. Mirëpo, Unioni Evropian në anën tjetër nuk është se ka shfaqur tendencë për t’i mbështetur këto procese. Çfarë pretendoni se do të ndodhë tani?

Ambasador Ruge: Atëherë, në parim janë dy udhë, të cilat deri diku ishin paralele, sepse siç e dini Unioni Evropian është përfshirë në këtë përpjekje për të sjellë Kosovën dhe Serbinë së bashku dhe për të normalizuar marrëdhëniet. Tani, unë mendoj se shumë njerëz në Kosovë, dhe ndoshta edhe në Serbi, ndjejnë që Unioni Evropian nuk ka bërë punë edhe aq të mirë, se ishin shumë të ngadaltë dhe nuk i kanë mbajtur premtimet. Ndoshta. Sipas eksperiencës time në Ballkanin Perëndimor, e cila daton vite më parë, është se ka gjërat funksionojnë vetëm nëse Shtetet e Bashkuara dhe Unioni Evropian punojnë së bashku në afërsi. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Nuk kemi nevojë për dy udhë të ndara, me koordinim të pamjaftueshëm. Unë pres që SHBA-të do të kthehen, për t’u koordinuar në afërsi me ne, dhe mendoj se pikërisht për këtë ka folur edhe Joe Biden.

Pyetja: Tani, Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden, është i lidhur ngushtë me zhvillimet në Ballkan, dhe në korrik të këtij viti, Presidenti ka kritikuar administratën Trump për “dështimin në koordinim me të dërguarit Evropian” të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës në përpjekje për të arritur një marrëveshje finale, e cila do të ishte njohja reciproke mes dy shteteve. Ky duhet të jetë edhe qëllimi për administratën Biden. Por, ku qëndron Gjermania në këtë mes?

Ambasador Ruge: Atëherë, në parim kjo është esenca. Ajo që do të duhej bërë është të sjellim Shtetet e Bashkuara dhe Unionin Evropian më afër së bashku. Është shumë gjë e mirë që Joe Biden ka kaq shumë eksperiencë në marrëdhëniet e jashtme, dhe e njeh Ballkanin Perëndimor, dhe që është duke folur për këtë dhe që ka folur për këtë për muaj të tërë. Atëherë, ne jemi të gatshëm për të punuar në afërsi me administratën Biden për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ne në Evropë është pyetje strategjike çështja e të pasurit stabilitet dhe kalimi në një situatë më normale mes Serbisë dhe Kosovës, është shumë e rëndësishme për ne. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës është trashëgimi kulturore nëse mund të themi, sepse fundja, Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në Kosovë, dhe mendoj që në parim, SHBA-të do t’i drejtohen Brukselit dhe Evropës për të mbajtur mbi vete barrën më të madhe. Por, mendoj se SHBA-të do jenë aty si lojtar aktiv dhe plotësisht të koordinuar me Unionin Evropian. Kështuqë, mendoj se kjo është një pikënisje e qëlluar.

Pyetja: A mendoni se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje gjatë këtyre katër viteve të ardhshme të administratës Biden?

Ambasador Ruge: Është pyetje e mirë! E dini, unë jam gjerman, i lindur më 1962. Kishim diku rreth 45 vite, nga 1945, fundi i Luftës së Dytë Botërore, deri në unifikimin e Gjermanisë me 1990, që nuk kemi pasur sovranitet të plotë, ku çështjet kyçe të shtetësisë së Gjermanisë, nuk na takonin neve për të vendosur. Kështu që, çdo gjë që kishte të bënte me Gjermaninë si tërësi, si dhe çështja e Berlinit, ishin diçka që vetë gjermanët nuk lejohej të vendosnin për vete. Njerëzit e harrojnë këtë gjë. Ata mendojnë që disi Gjermania Perëndimore ishte një shtet i begatë dhe plotësisht në përgjegjës për çdo gjë. Nuk është e vërtetë.

Atëherë, ne kemi jetuar në sovranitet të limituar për një kohë të gjatë. Pavarësisht nëse arrihet një marrëveshje e plotë, që përfshinë të gjitha çështjet për kënaqësinë e të dy palëve. Mendoj se kjo është shumë ambicioze. Duhet të jemi ambiciozë, duhet të punojmë drejt kësaj. Por, mendoj se gjëja kyçe është përparimi, të punojmë në besim të mirë, dhe të adresojmë problemet që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë, në mënyrë që ata të jetojnë jetët e tyre, të shohin punën e tyre, në mënyrë që ekonomitë të prosperojnë. Është me rëndësi të shfaqim besim të mirë. Dhe, e dini, në çoftë se dy palët e bëjnë këtë, eventualisht do të arrini në një marrëveshje që i përfshinë të gjitha.

Nuk jam i sigurt nëse një marrëveshje e plotë – fundi i historisë në një farë mënyrë – nëse kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme është ta zbusim retorikën, të përparojmë, t’i ndihmojmë njerëzit të jetojnë jetët e tyre.

Pyetja: Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka thënë po ashtu se “një zgjidhje e gjithëpërfshirëse e cila do të çonte drejt njohjes reciproke, ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial të të dyja shteteve, si dhe fuqizimin e institucioneve demokratike është vendimtare për Serbinë dhe Kosovën për të ecur përpara. Kjo zgjidhje do të forconte sigurinë dhe prosperitetin e të dyja shteteve dhe do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në Unionin Evropian dhe institucionet ndërkombëtarë.”

Meqenëse ju keni qenë në mision në Kosovë si pjesë e sektorit të sigurisë qeverisëse dhe e njihni mirë situatën, mendoni se kanë mbetur çështje të pazgjidhura të cilat do të rrezikonin territorin e Kosovës si dhe sigurinë e saj?

Ambasador Ruge: Keni të drejtë! Kam shërbyer në Kosovë dy herë, si pjesë e KFOR-it. Kam qenë pjesë e qendrës së parë të KFOR-it në verën e vitit 1999 dhe jam kthyer me pas si Krye-këshilltar Politik më 2001-2002. Ka qenë një kohë tjetër atëherë, e dini, nuk kam nevojë unë të ju tregoj për këtë. Mendoj se nuk duhet të ketë probleme të cilat rrezikojnë integritetin territorial të, ose që mund të nxisin konflikt me armë mes dy shteteve. Të gjitha këto probleme mund të zgjidhen. Në çoftë se njerëzit punojnë me besim të mirë, dhe nëse ata veprojnë në të mirë të njerëzve nga të dy palët, në Serbi dhe Kosovë. Kështu që, mendoj se nuk ka probleme të pakapërcyeshme. Të gjitha këto gjëra mund të zgjidhjen.

Pyetja: Presidenti i Serbisë, Z. Aleksandër Vuçiq, më 12 Nëntor të këtij viti tha se në çoftë se nuk arrihet marrëveshje mes dy shteteve, ekziston rreziku për më shpërthimit të një konflikt. Tani, në çoftë se negociatat dështojnë, dhe shpërthejnë konfliktet, kush do të mbaj përgjegjësi?

Ambasador Ruge: Mendoj se kjo është një retorikë e rrezikshme, që krijon tension, dhe vë një afat kohorë që në disa mënyra duket jo-reale. Në fund të ditës, janë qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës që e kontrollojnë situatën. Në çoftë se këto dy qeveri veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për konflikt. Presidenti Vuçiq duket që është në kontroll të gjërave në Serbi, pavarësisht nëse është siguria shtetërore, apo nëse ka të bëjë me të pasurit qeverisja të shumicës parlamentare. Unë shoh se ai është në një situatë ku mund të sigurohet të mos shpërthejë konflikti, sepse nuk shoh ndonjë gjë që Kosova mund të bëjë që do të provokonte konflikt mes dy shteteve. Kështu që, mendoj se kjo retorikë është e panevojshme dhe e rrezikshme.

Pyetja: Ndikimi që Rusia ka në Ballkan e sidomos në Serbi thuajse është një sekret publik. Sipas jush, një bashkëpunim i afërt dhe i fuqishëm mes administratës Biden si dhe Unionit Evropian, a do të zbuste ndikimin e Rusisë në Ballkan?

Ambasador Ruge: Mendoj se është e vërtetë. Sipas perspektives sime, duhet të mendojmë për interesat e Kosovës dhe Serbisë, për interesat e Unionit Evropian si dhe ato të Shteteve të Bashkuara. Interesimi ynë është të kemi stabilitet, zhvillim ekonomik dhe prosperitet, si dhe të sjellim Kosovën dhe Serbinë më afër Unionit Evropian. Kjo është ajo çfarë duhet të bëjmë, dhe vetëm përmes kësaj, mendoj se do të arrijmë të zbusim ndikimin e Rusisë. Në këto vitet e fundit, Rusia nuk ka qenë aktor dobiprurës, dhe ne nuk duhet t’u japim hapësirë për të ndërhyrë në çështjet vendore të Serbisë ose Kosovës, apo ta bëjnë më të vështirë rrugën drejt Unionit Evropian për këto dy shtete. Kështu që, po, ne duhet të punojmë në afërsi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të ndihmojmë Kosovën e Serbinë të zhvillojnë një marrëdhënie më pozitive. Absolutisht.

Pyetja: Z. Ambasador, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuze ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, dhe në mesin e tyre është edhe tani ish-Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaçi. Si rezultat, Z. Thaçi ka hequr dorë nga posti i tij si President i shtetit të Kosovës, ndërkohë që publikun kosovarë e ka përfshirë një ndjenjë, nëse mund ta quajmë “zemërim i qetë” kundrejt kësaj situate, dhe perceptimi i përgjithshëm është se është bërë një padrejtësi. Si do të komentonit në lidhje me këtë situatë?

Ambasador Ruge: Epo, unë besoj se është një gjë e mirë që Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i tij kur u ngrit akuzua nga Dhomat e Specializuara. Për ne në Gjermani, rregulli i ligjit është jashtëzakonisht e rëndësishme. Është me rëndësi të dalim jashtë këtyre situatave të konflikteve, dhe është çështje me rëndësi, siç e keni parë, diskutimi brenda Unionit Evropian sot. Kemi diskutime të vështira tani me Poloninë dhe Hungarinë, është situata në Bullgari për të cilën njerëzit po komentojnë. Kështu që, rregulli i ligjit është jashtëzakonisht me rëndësi, respektimi i standardeve ligjore është me rëndësi, dhe udhëheqësit politik këshillohen ta bëjnë këtë prioritet dhe të veprojnë në përputhshmëri. Kështu që, mendoj se është e saktë që Presidenti Thaçi ka hequr dorë nga posti i tij dhe se procedurat legale janë duke u zhvilluar. Do të shohim së si e gjithë kjo do të përfundojë. Mendoj se është e papërshtatshme për mua të komentojë për këtë.

Pyetja: Kjo është pyetja jonë e fundit, z. Ambasador. A e ka humbur Kosova perspektiven e saj Evropiane?

Ambasador Ruge: Nuk e besoj. Mendoj se të dyja anët duhet të punojnë. Në Evropë duhet të jemi të besueshëm sa i përket ofrimit të një perspektive për Kosovën. Kjo është e vështirë. Nuk është e vështirë për arsye se njerëzit nuk duan të ndihmojnë ose të jenë konstruktiv, por është e vështirë ngase Unioni Evropian është duke u përballur me aq shumë gjëra aktualisht, për të mbajtur pozitën që ka në arenën ndërkombëtare, për të qenë një aktor i besueshëm, dhe çdo shtet tjetër që bëhet pjesëtarë rrit kompleksitetin e vendimmarrjes në Unionin Evropian. Kështu që, mendoj se njerëzit kanë ndjenja të përziera në lidhje me udhën drejt zgjerimit. Por, ne kemi interes strategjik për t’i sjellë shtetet e Ballkanit Perëndimor në Unionin Evropian, sepse janë shtete të Evropës, dhe u kemi premtuar mundësinë për t’u bërë pjesë e Unionit Evropian, në çoftë se i përmbushin standarde të cilat i kemi artikuluar. Unë mendoj se duhet ta mbajmë premtimin e bërë dhe se në këtë mënyrë do të mbështesim zhvillimin ekonomik dhe ta bëjmë Unionin Evropian më të fuqishëm. Megjithatë, është një sfidë e vështirë, dhe në një farë mënyre është, si të thuash të katrorizosh rethin këto ditë. Mirëpo, ne duhet t’i bëjmë detyrat, dhe duhet të jemi të besueshëm. Dhe në anën tuaj detyrat janë të jeni kandidatë të besueshëm për Unionin Evropian gjithashtu. Përsëri, rregulli i ligjit është absolutisht vendimtar sa i përket kësaj çështje, demokracia është vendimtare, shoqëria civile është vendimtare, ku mediat mund të raportojnë dhe të nxisin një nivel kontrolli duke lejuar për zhvillimin e një debati publik. Këto janë gjera shumë të rëndësishme gjithashtu. Kështu që, mendoj se të dyja palët i kanë detyra të vështira përpara tyre.

Exit mobile version