Site icon PrishtinaPress

Diplomati britanik parashikon “vdekje” të negociatave: Serbia do të kërkojë autonomi për serbët e Kosovës

Të shtunën më 18 mars, Kosova dhe Serbia do të ulen sërish në tryezën e bisedimeve për të diskutuar mbi marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe njëherë ka shprehur gatishmëri që ta nënshkruaj këtë marrëveshje, por një qasje me të rezervuar e ka presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Diplomati britanik, Timothy Less, vlerëson se kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë Kosovës për njohje të plotë nga Bashkësia Ndërkombëtare.

“Ajo që mund të them si fakt është se marrëveshja e BE-së do ta afronte Kosovën me qëllimin e saj për njohje të plotë nga bashkësia ndërkombëtare. Serbia do të duhej ta trajtonte Kosovën si shtet të pavarur duke krijuar një mision diplomatik në Kosovë, duke vendosur marrëdhënie tregtare dhe ekonomike dhe duke njohur dokumentet kosovare. Por në anën tjetër ka edhe disa paqartësi, sepse Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Less.

Megjithatë, Less ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian, për mungesën e një plani se si do të zbatohen këto marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“BE-ja do të insistojë që propozimi të miratohet dhe do të shtyjë për zbatim, ndërsa Serbia dhe Kosova do të bashkëpunojnë sipërfaqësisht duke vazhduar të vënë në pikëpyetje elementet themelore të marrëveshjes. Kjo është në natyrën e një marrëveshjeje e cila është hartuar nga një palë e jashtme e cila dëshiron një zgjidhje të mosmarrëveshjes për qëllimet e veta, në vend të një marrëveshje të rënë dakord nga palët lokale të cilat kanë vendosur vetë të bëjnë kompromise”, shtoi ai, transmeton teve1.

E si problemin kryesor, diplomati britanik e sheh pikën shtatë të marrëveshje ku flitet për një formë autonomie për komunitetin serb në Kosovë.

Sipas tij, kjo mund të ndikojë në dështimin e negociatave mes të dyja shteteve.

“Pika shtatë e marrëveshjes ngre një sërë skenarësh. Serbia do të shtyjë për autonominë më të gjerë të mundshme për serbë, në mënyrë ideale për ta- diçka ekuivalente me Republikën Serbe, e përcaktuar nga një kufi i qartë administrativ. Në anën tjetër, Kosova do të shtyjë për autonominë sa më të kufizuar të serbëve. Ndërkohë BE-ja dhe SHBA-ja do të përpiqen t’i pajtojnë këto qëndrime duke bërë thirrje për diçka në këtë mes. Mendimi im është se çështja e autonomisë për serbët është më e vështira në marrëveshje dhe ajo për të cilën marrëveshja ose do të jetojë ose do të vdesë”, tha Less.

Në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, prezent do të jetë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

Exit mobile version