Site icon PrishtinaPress

Diplomati austriak: Me krijimin e Asociacionit, Kosova do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë veriun

Ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe diplomati austriak Wolfgang Petritsch ka thënë se formimi i Asociacionit nuk nënkupton një Republikë Serbe brenda Kosovës dhe se Prishtina do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë veriun.

Sipas Petritsch, pakicave serbe megjithatë duhet të iu jepen disa të drejta si në kulturë, ekonomi, arsim e shëndetësi.

“Shqetësimet ekzsitojnë gjithmonë, në një formë, janë të bazuara, por në të njëjtën kohë, si duhet të tejkalohen ato shqetësime? Kjo është çështja kryesore dhe mendoj se shqetësimet tejkalohen në formën ligjore dhe në aspektin praktik, duke u siguruar njëzëri me bashkësinë ndërkombëtare se asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe. Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtat një shteti, sikur në rastin e Bosnjës. Prandaj, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë. Por besoj se pakicat serbe në Kosovë duhet dhënë të drejta kulturore, disa aspekte ekonomike dhe të drejta të tjera në arsimim, shëndetësi. Duhet ta keni parasysh që aktualisht në Kosovë hynë shumë para, pa transparencë, nga Beogradi. Përmes një asociacioni të këtillë, këto para duhet të regjistrohen dhe të kalojnë nëpër (institucionet) e Prishtinës. Me krijimin e asociacionit, Prishtina do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë këtë pjesë të Kosovës, që natyrisht i takon shtetit. Por ekziston një pakicë dhe kjo pakicë duhet të ketë të drejta të caktuara“, ka deklaruar Petritsch.

Petritsch ka folur edhe për sulmin terrorist të Serbisë të 24 shtatorit, ku ka theksuar se nuk ishte planifikuar domosdoshmërisht dhe me vetëdije në Beograd.

“Përshtypja ime është se doli nga kontrolli. Më lejoni ta sqaroj. Mendoj se nuk ishte planifikuar domosdoshmërish dhe me vetëdije në Beograd. Megjithatë, njerëzit e përfshirë në këtë grup mercenarësh, po shfrytëzonin një situatë të pazgjidhur dhe po vepronin mbi idetë e tyre për kaos dhe ndërprerje të procesit negociator të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ka njerëz nga dyja anët që nuk janë të interesuar në një zgjidhje. Qartazi, është më e vështirë për palën serbe t’i afrohet një zgjidhjeje sepse atyre u duhet të heqin dorë nga ajo që tashmë e kanë humbur, nga Kosova. Por në të njëjtën kohë, po qëndrojnë prapa idesë fiktive se Kosova është Serbi. E kanë Rezolutën e OKB-së dhe gjithë këto formalitete, por është edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës. Prandaj mendoj se dy palët duhet ta shohin të vërtetën në sy dhe mendoj se incidentet e shtatorit ishin një rivlerësim negativ i situatës. Kjo nuk është absolutisht rruga përpara. Nuk është në të mirë të Serbisë, nuk është në të mirë të Kosovës, e në veçanti për qytetarët e Kosovës, për pakicën serbe. Një çështje së cilës shpesh nuk i kushtohet vëmendje është fakti që të rinjtë po ikin nga Kosova, në veçanti nga pjesa me shumicë serbe, sepse nuk po shohin të ardhme aty. Faktori demografik është ndoshta më i dëmshmi për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe tërë rajonit.

Exit mobile version