Sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë, një përplasje e ashpër ndodhi në mes të kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe deputetit të LDK-së Driton Selmanaj.
Ndonëse të dytë vijnë nga e njëjta parti, kohët e fundit marrëdhëniet ndërmjet tyre nuk janë aq të mira. Ani pse, kohë më parë, ata këndonin bashkë nëpër tubime të ndryshme e madje të përqafuar këndonin këngën e Adelina Ismailit “Ushtrinë time do ta bëjë me Ibrahim Rugovën”, shkruan Gazeta Insajderi.
Për dallim nga një video që të dy shihen shumë të lumtur duke kënduar, sot u shpërfaqën më shumë se kurrë mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.
Kryeparlamentarja Osmani, sot ia ndali fjalën deputetit Selamnaj derisa ai po fliste për masat kufizuese lidhur me situatën emergjente në vend.
Selmanaj i tha Osmanit se ajo po i legjitimon sjelljet anti-kushtetuese të Qeverisë së Kosovës.
“Ka ardhur në përfundim se Qeveria ka shkelur Kushtetutën. Po thotë [Kushtetuesja, v.j] se ju keni në dispozicion kaq kohë për të sjell një Ligj të ri, përndryshe kaloni në nenin 56 ku flet për shmangie të të drejtave dhe lirive të njeriut, e që bëhet me rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Selmanaj.
“Përpjekja që ju po e bëni, është përpjekje për të legjitimu sjelljen e kësaj qeverie duke e lënë anash nenin 56 të Kushtetutës së Kosovës…”, u shpreh Selmanaj, para se të ndërpritej nga Osmani.
Ndërkaq, Osmani i tha Selmanajt se ai nuk ka të drejtë të ofendojë askënd.
“Z. deputet, je duke e keqpërdorur të drejtën tënde për t’i dezinformuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ke asnjë të drejtë… në radhë të parë, fjalën ta dhashë me fol për çështjen e mocionit; në qoftë se do me fol për çështjen e mocionit fol, nëse fol për një temë tjetër, regjia ia ndalon menjëherë fjalën”, i tha Osmani, Selmanajt.
Kryetarja Osmani i tha Selmanajt se nuk i është shkelur asnjë e drejtë. “Në qoftë se mendon se të është shkelur ndonjë e drejtë, janë procedurat”, i tha Osmani, Selmanajt./ Insajderi.com