Site icon PrishtinaPress

Dikur e kritikonin ashpër, sot partia që qeveris vendin nuk po përmend fare ligjin e “privilegjeve”

Ligji për përftimet e ish-Zyrtarëve të Lartë është kritikuar në vazhdimësi nga pushtetit aktual, gjatë kohës sa ishin në opozitë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë kohës sa ishte në opozitë në pozitën e Kryetares së Komisionit për Legjislacion në vitin 2018, ishte shprehur se ky ligj dhe Ligji për Presidentin duhet të ndryshohen, pasi me këto ligje ka shumë benificione.

“Ka ardhë koha kur ne duhet t’i shkurtojmë disa prej përfitimeve të ish zyrtarëve të lartë, por edhe benificionet që i kanë zyrtarët e lartë, aktualisht. Edhe ne kemi shumëligje të cilat e rregullojnë këtë fushë, për shembull e kemi ligjin për përfitimet e ish- zyrtarëve të lartë. Për mua mbetet e pakuptueshme se si deputeti merrë edhe pagë edhe shtesa në komisione dhe seanca parlamentare. Sa i përket presidentit, pas përfundimit të mandatit kanë të drejtë familja e tij sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë gjithë jetës, pastaj bursa për fëmijët”, ishte shprehur Haxhiu.

Edhe opozitari i dikurshëm, Glauk Konjufca, tashmë Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte shprehur se ky ligj është përgatitur me qëllim që politikanët t’ia bëjnë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jenë më në pozita.

“Kur e kam lexuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, e kam kuptuar se kryeministri Hashim Thaçi po përgatitet për pensionim politik. Tash kur kryeministrit po i afrohet fundi politik, ai ka filluar t’i ndryshojë ligjet për t’ia bërë vetes vendin sa më luksoz, atëherë kur nuk do të jetë më aty ku është. Arsyet janë të qarta, nëse e lexojmë Ligjin. Ky është një ligj që e tregon makutërinë e zyrtarëve tanë shtetërorë”, ishte shprehur Konjufca aktulisht kryetar Parlamenti.

Konjufca kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij projektligji dhe kundër këtij ligji.

“Pra, kundër këtij projektligji që ligjin ashtu të keq e bën edhe më skandaloz. Ky ligj dhe projektligj është shembulli më i mirë dhe ilustrativ se si zyrtarët tanë politikë institucionet e Kosovës i kanë kthyer në salltanete personale, në vend që t’i trajtojnë si instrumente shërbyese për qytetarin”, kishte thënë Konjufca.

Por me të ardhë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse janë në vitin e tretë të mandatit, këto privilegje të zyrtarëve të lartë shtetërorë, nuk i kanë diskutuar asnjëherë në publik dhe poashtu ato nuk janë paraparë askund në agjendën legjislative për t’i ndryshuar. Shfuqizimi i këtyre privilegjeve, nuk është përfshirë as në ligjin për pagat të miratuar këtë vit.

Ndryshe, nga Qeverisja e Kurtit, shfuqizimi i këtij Ligji ishte bërë në miratimin e Ligjit për Paga në vitin 2019, kur Qeveria udhëhiqej nga Kryeministri Ramush Haradinaj, por që ky ligj nuk kishte kaluar filtrat e Gjykatës Kushtetuese.

Aty parashihej se funksionari shtetëror ka të drejtë kompensim kalimtar për 5 vjet në vlerë prej shtatëdhjetë për qind (70%) të pagës bazë të fundit, shofer, asistent, veturë dhe zyrë. Këtë të drejtë zyrtari i lartë do ta fitonte, nëse zyrtari ka ushtruar të paktën 1 vjet nga funksioni i tij.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të informohet nëse në agjendën legjislative, do të parashohin ndryshimin e ligjeve përsa i përket këtyre privileve, por nuk janë përgjigjur. Pavarësisht se nuk kanë bërë asnjë lëvizje që këto privilegje të ndalen, ashtu siç kanë kërkuar në kohën sa ishin në opozitë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe tani shprehet kundër privilegjeve, por thotë se kjo kompetencë nuk i takon ministrisë që ajo udhëheq.

“Unë patjetër konsideroj që ai Ligj të adresohet, sepse siç e kemi thënë në vazhdimësi, janë të pakuptimta privilegjet të cilat i adreson ai projektligj në fakt, por kjo është kompetence e Ministrisë përkatëse, për administratën publike”, ka thënë ajo në një prononcim të shkurtër për “Betimi për Drejtësi”.

Ndonëse nga Ministria e Drejtësisë thonë se për këtë ligj, duhet drejtuar tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, si sponsorizuese e këtij ligji, sipas këtyre të fundit, as ata nuk janë sponsorizues të këtij ligji. Edhe ministria e Xhelal Sfeçlës, ka thënë që ata s’janë kompetentë, por duhet drejtuar tek Zyra e Kryeministrit.

Exit mobile version