Një veturë është djegur tërësisht, ndërsa një tjetër është dëmtuar pjesërisht mëngjesin e sotëm në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, derisa ka theksuar se nuk ka të lënduar.
“ Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtarë në Prishtinë , dy automjete janë përfshirë nga zjarri. Njëra nga veturat e tipit Mercedes, është djegur tërësisht ndërsa tjetra (Audi) e cila ka qenë e parkuar në afërsi është dëmtuar pjesërisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka treguar Ahmeti.
Lidhur me këtë, Klan Kosova ka publikuar pamjet.