3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

​Dietologia këshillon agjëruesit të shmangin kequshqyerjen gjatë Ramazanit

Një eksperte turke këshillon agjëruesit që për një agjërim më të shëndetshëm të shmangin ushqimet me yndyrë të lartë, kripë dhe sheqer gjatë Ramazanit.

Merve Birbilen, një dietologe në një qendër të mirëqenies në kryeqytetin Ankara të Turqisë, duke folur për Anadolu Agency, tha se me ardhjen e Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit dhe ndryshimit të programit të ushqyerjes, të gjithë po pyesin se çfarë të konsumojnë për të mos shtuar peshë ose për të ruajtur peshën e tyre.

“Agjërimi nuk pengon të ushqehesh shëndetshëm. Mund ta kaloni Ramazanin në mënyrë të shëndetshme duke i kushtuar vëmendje asaj që konsumoni në vaktet e iftarit dhe syfyrit”, thotë Birbilen.

Gjatë Ramazanit, agjërimi fillon pas vaktit të syfyrit para agimit dhe përfundon me vaktin e iftarit në perëndimin e diellit.

Birbilen thekson se çelja e iftarit me ujë dhe hurma ndihmon që nivelet e glukozës në gjak të kthehen shpejt në normalitet. Më pas, shton ajo, mund të vazhdoni me një supë jo shumë të yndyrshme apo të kripur, të pushoni 10 deri në 15 minuta dhe më pas të kaloni në pjatën kryesore.

Sipas saj, njerëzit në pjatën kryesore mund të konsumojnë burime proteinash si mish, pulë, peshk, bishtajore apo pjata vegjetale me vaj ulliri.

Dietologia bëri thirrje që agjëruesit të qëndrojnë larg ushqimeve të skuqura me shumë yndyrë, brumërave të rënda, si dhe ëmbëlsirave me shumë sheqer dhe yndyrë.

“Mos harroni të keni një pjatë të madhe sallate në tryezën tuaj të iftarit për të parandaluar problemet e mundshme të tretjes”, paralajmëron ajo.

 

Ata që kanë probleme me tretjen, thekson Birbilen, gjithashtu duhet t’i kushtojnë vëmendje konsumit të lëngjeve dhe duhet të përfshijnë ushqim të butë në vaktet e tyre.

“Nëse është e nevojshme, njerëzit mund të hanë meze të lehtë 1 orë e gjysmë apo 2 pas iftarit. Ushqime të tilla si fruta, arra, kos dhe kefir mund të konsumohen si meze e lehtë. Budingat e qumështit gjithashtu mund të preferohen një deri në dy herë në javë”, shpjegon ajo.

Birbilen gjithashtu thekson se një ecje e shpejtë me një ritëm të lehtë për 30-45 minuta të paktën një orë pas iftarit është e rëndësishme për të përshpejtuar metabolizmin.

– Vakti i syfyrit është vendimtar për agjërim të shëndetshëm

Më tej, Birbilen rekomandon fuqishëm vaktin e syfyrit gjatë Ramazanit, por bën thirrje që të shmanget ushqimi me yndyrë të lartë, të kripur dhe me sheqer.

“Konsumimi i shumtë i ushqimeve të yndyrshme dhe me sheqer në syfyr mund t’ju bëjë të ndiheni të uritur shumë më herët për shkak të rritjes dhe rënies së shpejtë të nivelit të sheqerit në gjak. Meqenëse këto lloj ushqimesh do të shkaktojnë më shumë humbje të ujit nga trupi, ato do t’ju bëjnë të keni më shumë etje”, paralajmëron Birbilen.

Në vend që të konsumojmë brumëra me yndyrë apo petulla në syfyr, preferohet që agjëruesit të konsumojnë një pjatë klasike mëngjesi, petulla të përgatitura me miell gruri integral, omëletë me tërshërë ose sallatë të përbërë nga gruri bulgur”, thekson ajo.

Burimet e proteinave si vezët, djathi, qumështi, kosi dhe farat vajore si arrat dhe lajthitë, sipas saj, do të rrisin kohën tuaj të ngopjes.

Muaji i shenjtë i Ramazanit filloi më 23 mars dhe do të përfundojë më 21 prill, në ditën e parë të festës së Fitër Bajramit që shënon fundin e Ramazanit./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img