Site icon PrishtinaPress

Dialogu shkon në “pushim” pa pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes

Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së pas arritjes së Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, shumë pika të saj mbeten të pazbatuara. As në takimin e fundit para se dialogu të shkojë në pushim, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët për sekuencimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes. Njohësit Daniel Serwer dhe David Phillips ia faturojnë BE-së dhe SHBA-së mungesën e rezultateve dhe kanë shtruar domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë “ka shkuar në pushim veror” pa ia vendosur pikën shumicës së çështjeve të dakorduara në Marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars.

Dokumentet mbi të cilat palët nuk i vunë nënshkrimet mbetën nën hijen e tensioneve të majit e qershorit në veriun e populluar me shumicë serbe. Dakordim nuk pati as në takimin e fundit që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pati me kryenegociatorët e të dyja shteteve. Për pasojë, ai e përsëriti refrenin e muajve të fundit që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri dhe të shënohet përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, e ka fajësuar BE-në dhe ShBA-në për mungesën e rezultateve në dialog.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk ka detyrime për marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion mbi Vuçiqin. Presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, i ka thënë KOHËS Serwer.

Pa vullnet mes palëve, ish-diplomati amerikan e sheh të vështirë dinamizmin e këtij procesi.

“Çështja është tek vullneti politik. Nuk ekziston as në Beograd e as në Prishtinë. Për këtë jam dakord me Gabriel Escobarin. Megjithatë, SHBA-ja ka përdorur shumë shkopinj me Prishtinën dhe shumë karota me Beogradin. Uashingtoni duhet të ribalancojë politikën e tij”, ka thënë Serwer.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë raportimit më 18 korrik para Kongresit Amerikan, ka shprehur shqetësimin për mungesën e përafrimit mes Kosovës e ShBA-së. Teksa e ka përsëritur se Kosova duhet ta përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit, Escobar ka paralajmëruar pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri.

Ndërkaq profesori amerikan i Universitetit të Kolumbias në Nju-Jork, David Phillips, e quan dështim dialogun e deritashëm.

“Nëse e shohim një pamje më të gjerë të çështjeve që e shqetësojnë Kosovën, dialogu është një dështim”, ka thënë Phillips. “Unë gjithmonë kam thënë se angazhimi i SHBA-së është kritik. Megjithatë, SHBA-ja duhet të mbështesë në mënyrë proaktive Kosovën. Qetësia është një qorrsokak”.

S’ka pajtim në katër çështjet e diskutuara

ShBA-ja deri tash i ka dhënë mbështetje dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli zyrtar.

Por dakordimi mungoi edhe në takimin e së mërkurës. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, për të cilën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se është parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumenteve të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Ai ka shprehur brengën se draftet e deritanishme që Lajçaku ua ka dërguar palëve, “janë selektive, lënë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të Marrëveshjes”.

Përplasjet më të mëdha i ka prodhuar pika që flet për vetëmenaxhimin e serbëve. Serbia vazhdon të insistojë që dialogu të zhvillohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa për Qeverinë e Kosovës, Asociacioni nuk mund të ketë epërsi ndaj pikave tjera të marrëveshjes.

Neni 7 i propozimit të BE-së flet për “vetëmenaxhimin” e komunitetit serb që sipas qeveritarëve të Kosovës dhe emisarit Lajçak nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkaq sipas Aneksit të dakorduar në Ohër, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

Asociacioni ka qenë pika që ka prodhuar më së shumti kundërthënie e përplasje brenda vendit, edhe gjatë qeverive paraprake. Edhe veprimet për ngritjen e tij pas marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 janë shoqëruar me mungesë transparence. Përveç tri vendimeve të qeverive të kaluara lidhur me Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, edhe Qeveria aktuale nuk ka pasur informacione lidhur me punën dhe përmbajtjen e dokumenteve të draftuara. Pa u koordinuar me Qeverinë, ky ekip e prezantoi edhe draft-statutin në njërin prej takimeve të Brukselit, por i cili u kundërshtua nga pala kosovare, meqë kurrkund nuk i ka referencë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në periudhën kur zhvillonin takimet me palët e përfshira në komunat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues kishte shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor.

Ngecjet në termat e referencës për komisionet e përbashkëta

Në takimet e zhvilluara deri tash dakordim nuk pati as për terma të referencës për Komisionin e Përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur.

“Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final që kishte me i hapë rrugë dhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët”, deklaroi Bislimi pas takimit të fundit.

Çështje tjetër e diskutuar ishte ajo për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Pala kosovare ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ekzekutive, nuk mund të zëvendësojë trupa të tjerë.

Sa i përket temës së energjisë, e cila është trashëguar prej vitesh nga marrëveshjet e kaluara, Bislimi ka thënë së në takimin e fundit në Bruksel “ka pasur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës”. Por ka shtuar se në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe tash janë shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit.

Obstruksionet e Serbisë

Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së rreth aneksit për zbatimin e propozimit të BE-së, zyrtarët serbë në disa raste paralajmëruan se nuk do të zbatojnë atë përderisa nuk themelohet Asociacioni. Kjo u dëshmua edhe në testin e parë të marrëveshjes, ku Serbia në kundërshtim me nenin katër të marrëveshjes doli kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe loboi edhe tek shtetet e tjera që ta pamundësojë një gjë të tillë.

Por mbështetur në udhërrëfyes, Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhen pjesë kryesore e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Në dokument përmenden edhe pasojat që i presin palët në rast të mosrespektimit të obligimeve, në proceset përkatëse të anëtarësimit dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Aneksi për zbatimin e marrëveshjes flet edhe për organizimin e një konference donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihmë financiare për Kosovën dhe Serbinë. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Jo vetëm që nuk pati ndihma financiare, por Kosovës iu pezulluan edhe ato që ishin në vazhdim e sipër pas tensioneve në veriun e Kosovës.

Qeveria e Kosovës shpresoj që pas veprimeve për shtensionimin e situatës në veri, BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese, por kjo nuk ndodhi. Qeveria pranoi t’i largonte njësitë speciale nga veriu deri në masën prej 25 për qind, si dhe është pajtuar që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pas verës.

“Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian”, ka theksuar Bislimi.

Lajçaku vazhdon të flasë për shtensionim të situatës

Pavarësisht qëndrimit të Qeverisë se iu përgjigj kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës, emisari Lajçak ka vazhduar të flasë për rëndësinë e shmangies së dhunës në veri. E ka bërë këtë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lajçaku ka shkruar në Twitter se me Vuçiqin kanë rënë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Gjithashtu ka përmendur edhe nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan në postimin e Lajçakut.

Thirrje për zbatimin e Marrëveshjes bazë dhe shmangien e tensioneve ka bërë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai i ka kërkuar Bashkimit Evropian të enjten që të veprojë me vendosmëri në mënyrë që rajoni të mos mbetet peng i një krize të pafundme për shkak të Kosovës e Serbisë.

“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Bazë. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafundme mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël nga mosngritjet e nxitura nga Rusia dhe as dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të”, ka shkruar Rama në Twitter.

Por eksperti amerikan, Daniel Serwer, thotë se ekziston rreziku i përsëritjes së tensioneve të para disa javëve në veri.

“Vuçiq ka përdorur vazhdimisht provokimet në Kosovë për ta larguar vëmendjen nga problemet e tij politike në Beograd. Edhe Kurti shpesh ka reaguar në mënyra që kanë rritur tensionet. Nëse Vuçiqi do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, kjo mund t’i krijojë atij një nxitje për të provokuar telashe në Kosovë”, ka theksuar Serwer.

E profesori David Phillips tek ka folur për rrezikun për kthimin e tensioneve, ka theksuar se ka elementë të cilët do të preferonin që dialogu të dështojë.

“Ata mund të ndërmarrin veprime për të siguruar një dështim të tillë”, ka thënë ai.

Gjatë tensioneve të fundit në veri, 93 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar. Cak i sulmeve nga protestues të dhunshëm kanë qenë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe gazetarët shqiptarë.

Exit mobile version