0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

​Dialogu në qorrsokak, pesimizëm se presioni ndaj Serbisë do të ketë efekt

Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në horizont as këtë vit, përkundër shtimit të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për avancim në këtë proces dhe për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë. Të njëjtat, nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderohen se do të jenë pa efekt, derisa nuk ka një kornizë kohore dhe tematike për ujdinë finale.

Pesimist për avancim në procesin e dialogut janë edhe nga opozita, mirëpo në partinë në pushtet, thonë se janë duke shfrytëzuar situatën aktuale gjeopolitike për të shtyrë agjendën e Kosovës përpara në procesin e dialogut, mirëpo theksojnë se Serbia është palë dekonstruktive.

Procesi i dialogut ka filluar me 8 mars 2011, pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se me doemos Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen konkretisht në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, derisa në tavolinë nuk ka afate dhe tema konkrete, presioni ndaj palës serbe nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të ketë efekt.

“Duke kuptuar se ende nuk kemi në tavolinë një kornizë kohore dhe tematike, dyshoj se edhe presioni ndaj Serbisë mund të ketë efekt. Jam shumë skeptik ndaj Bashkimit Evropian, pasi patëm edhe rikyçjen të Francës dhe Gjermanisë, por nuk dhanë ndonjë impakt të fuqishëm politik se çka duhet të bëhet tutje. Ne presim deri të shohim kornizën kohore dhe tematike, pasi nëse nuk janë të njëjta, kjo mund të shkojë edhe 20 vite kështu. Nuk besoj në këto mënyra apo metodën që BE-ja e ka përzgjedh me fasilitu dialogun. Kjo i bie që pa ShBA-të nuk përfundon asgjë dhe për fat të keq Kosova nuk e ka kuptuar që dialogu jo që po rrëshqet në dialog teknik, por në dialog të pakuptimtë”, thotë ai.

Kritik për qasjen e Qeverisë së Kosovës në dialog është edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai thotë se ekzekutivi në dialog me Serbinë është i ngurtë, pasi s’ka qëndrim të saktë dhe as kornizë për ujdinë finale.

“Sa i përket dialogut me Serbinë jemi në terr informativ, s’ka asnjë transparencë të zhvillimit të bisedave që po bëhen në Bruksel. Dialogu është kthyer në çështje teknike. Edhe pse ka zëra që jemi në fazën përfundimtare të dialogut, por unë jam skeptik që do të kemi një marrëveshje këtë vit. Qeveria në këtë drejtim është inerte, s’ka qëndrim të saktë, s’ka një kornizë të dialogut dhe transparencë se si do t’i qaset dialogut përfundimtar”, thekson Lekaj.

Nga ana tjetër, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, mungesën e progresit në dialog ia adreson Serbisë, duke e quajtur si palë dekonstruktive.

“Ne kemi qenë gjithmonë konstruktiv në dialog, jemi munduar të tregohemi bashkëpunues. Pastaj i kemi pasur kërkesat tona të qarta, nuk kemi lëshuar takimet siç ka ndodhur me palën serbe. Faktikisht takime s’ka pasur mundësi të ndodhin sepse ata i kanë lëshuar gjithmonë sallën momentin kur takimi ka filluar. Ne kemi treguar që nuk jemi të gatshëm të prishim procesin, por jemi të gatshëm të ecim përpara. Por po dialogojmë me një palë që është dekostruktive dhe që s’ka interes t’i shtyjë përpara çështjet, pikërisht për shkak të pozicionimit që kanë në krah të Rusisë”, thotë ajo.

Pas marrëveshjes së Serbisë me Rusinë për koordinim të politikës së jashtme, janë shtuar zërat në Bashkimin Evropian për kushtëzim të bisedimeve për anëtarësim të Serbisë me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në një draft-raport brenda Parlamentit Evropian, mes tjerash kërkohet avancime konkrete edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Për shtimin e presionit ndërkombëtar është ankuar shpeshherë ditët e fundit edhe presidenti serb, Vuçiq. Gjatë një konference për media, ai shpalosi edhe propozimin franko-gjerman që i kërkon Serbisë të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pa detyrimin që të njohë pavarësinë.

Që nga fillimi i procesit të dialogut, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur rreth 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img