Site icon PrishtinaPress

“Dialogu mund të ketë sukses në pranverën e ardhshme”, përplasen Gërvalla, Lajçak dhe Daçiq

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për sa i përket çështjes se kur mund të ketë sukses dialogu me Serbinë, ku si datë e përmendi pranverën e ardhshme.

Gërvalla tha se Kosova është e përkushtuar që të punojë në këtë drejtim, teksa përmendi datën e dhënë nga vetë kryeministri Albin Kurti, dje gjatë forumit të “Bled 2023” që po mbahet në Slloveni.

“Ne kemi gjasa të mira për të arritur sukses shumë më herët sesa viti 2030 dhe jemi të përkushtuar që të punojmë në këtë drejtim. Kryeministri e përmendi pranverën e ardhshme”, tha ajo.

Në lidhje me këtë u pajtua edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se e dinë se çfarë duhet bërë.

“Pajtohem plotësisht. E dimë se çfarë duhet të bëhet, kemi marrëveshje të shkurtit dhe të marsit, dhe mund të implementohen sapo të ketë vullnet politik, brenda disa muajsh”, tha ai.

Në diskutim u përfshi edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili kërkoi përgjigje se “çka do të ndodhë me ato marrëveshjet paraprake, të cilat i kanë nënshkruar para 10 vitesh Ashton dhe Thaçi”, teksa Lajçak iu përgjigj se “neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se ‘të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të përmbushen plotësisht’”.

Tutje, Daçiq, insistoi tek çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se “para kësaj nuk mund të ecet më tutje”, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i Gërvallës, duke thënë se “e shihni që është e vështirë”.

“Ja vlenë të përmendet. E shihni që është e vështirë. Nëse kërkon arsye pse të mos lëvizet, është gjithnjë e lehtë të gjenden arsye. Mund të gjenden arsye pse mos ta bëjmë këtë diskutim, por nëse duam t’i tejkalojmë sfidat, duam t’i kalojmë këto”, tha Gërvalla.

Exit mobile version