Site icon PrishtinaPress

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon në Maqedoninë e Veriut, nesër ne agjendë çështjet ekonomike

Vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes politike në Ohër, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka bërë me dije se do të presë në një takim më 30 mars Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë ku do të diskutohet për largimin e barrierave administrative lidhur me tregtinë mes dy shteteve.

Në këtë takim të parë do të diskutohet për barrierat që pengojnë bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i parë do të zhvillohet në një dinamikë të vendosur, me qëllim që sa më shpejt të zgjidhen të gjitha çështjet kontestuese që kanë të bëjnë me barrierat administrative që pengojnë bashkëpunimin ekonomik mes këtyre dy vendeve”, thuhet në njoftim dhe shtohet se kryetari i Dhomës Branko Azeski emëroi dy e këshilltarëve të tij për të moderuar takimin.

Azeski ka thënë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve, duke përfshirë dështimin e Serbisë për të njohur dokumentet e Kosovës, është një çështje e rëndësishme ekonomike dhe politike që mund të çojë në një normalizim të marrëdhënieve të tyre.

“Ka marrëveshje të nënshkruara që duhet të ofrojnë një bazë dhe instrumente për një përmirësim të ndjeshëm të konkurrencës, kohezionit ekonomik dhe lidhjes së të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Në njoftimin për shtyp të Dhomës paralajmërohet se “fushëveprimi i bashkëpunimit në rajon është në rënie dhe vendet e tij janë të integruara keq në tregtinë botërore”.

Në Nenin 1 të Marrëveshjes Themelore Kosovë-Serbi thuhet se të dyja palët do të zhvillojnë raporte normale fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta dhe gjithashtu thuhet se të dy palët duhet që në mënyrë reciproke të njohin dokumentet, simbolet kombëtare, targat e vulat doganore.

“Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”, thuhet në Nenin 1.

Gjithashtu në Nenin 6 specifikohet që palët pajtohen për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik./PrishtinaPress/

Exit mobile version