Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Një perspektivë e re mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi: Rishikimi i renditjes së veprimeve zbatuese të Marrëveshjes Bazë”.
Mosmarrëveshja e vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbetur një sfidë kryesore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në dritën e ngjarjeve të fundit, përfshirë sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, i cili vuri në pah nevojën për një zgjidhje të qëndrueshme, është e domosdoshme të ecim përpara me zbatimin efektiv të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (APN).
Përkundër marrëveshjes fillestare verbale në Bruksel në shkurt të vitit 2023, presidenti serb Vuçiq refuzoi të nënshkruajë APN-në dhe e ka minuar vazhdimisht marrëveshjen në daljet e tij publike, duke e bërë shumë më të vështirë dhe sfiduese ndërtimin e një momentumi për zbatimin e saj. Përveç kësaj, dështimi për të arritur marrëveshje për një plan veprimi për zbatimin e APN-së në mars të këtij viti në samitin e Ohrit, e ndërlikoi më tej procesin dhe rriti tensionet.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, pret që Kosova të ndërmarrë hapat e nevojshëm për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë (ASM) dhe që Serbia të ndërmarrë veprime konkrete drejt njohjes de facto të pavarësisë së Kosovës.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha se “Në qendër të mosmarrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se sillen rreth renditjes së veprimeve për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe prandaj QKSS propozon një sekuencë alternative të veprimeve për të përmbushur pritjet e të gjitha palëve të përfshira në dialogun e normalizimit. Kjo perspektivë alternative fokusohet në zbatimin e balancuar dhe realist të APN-së, duke adresuar shqetësimet si të bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe të Kosovës.”
Në këtë qasje të re, Qeverisë së Kosovës i rekomandohet që të paraqesë një projekt-statut për themelimin e ASM-së, njëkohësisht me Serbinë duke zyrtarizuar njohjen de facto të Kosovës, ndërsa BE-ja dhe NATO-ja ofrojnë perspektivë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në BE përmes statusit të vendit kandidat dhe NATO-s përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP).
Sipas Ramadan Ilazit, udhëheqës i hulumtimit në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), “Nga perspektiva e Kosovës, zbatimi i plotë i APN-së ofron mundësinë më praktike për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n dhe BE-në”.
Për të adresuar shqetësimet e Kosovës dhe për të siguruar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, propozohet një shkëmbim letrash ndërmjet lidershipit kosovar dhe homologëve nga SHBA, Franca dhe Gjermania. Ky shkëmbim duhet të theksojë nevojën urgjente të Kosovës për të arritur statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësimin në NATO dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare si INTERPOL dhe UNESCO.
Presidenti i Këshillit European (BE) i rekomandohet organizimi i një samiti ndërmjet Kosovës dhe pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me qëllim të katalizimit të ndryshimeve pozitive në status quo-në aktuale. Themelimi i Associacionit nga Kosova dhe zbatimi i marrëveshjes bazë (APN) nga Kosova duhet të çojë në njohje nga Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.
Perspektiva alternative për sekuencën synon të sigurojë një rrugë të qartë për Kosovën, Serbinë, BE-në dhe SHBA-në për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe fillimit të negociatave për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, që paraqet një hap të rëndësishëm drejt njohjes formale te Kosovës nga Serbia.
“QKSS do të publikojë në ditët në vijim një analizë tjetër rreth themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, dhe parimeve që duhet të respektojë në mënyrë që të jetë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori i vitit 2015”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.