Site icon PrishtinaPress

Dialogu Kosovë-Serbi, Bislimi flet për hapjen e arkivave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi sot se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

I dyti i qeverisë, pas takimit me delegacionin serb në Bruksel tha se kanë gjetur pajtueshmëri për temat që mund të diskutohet nga niveli i lartë politik.

Gjatë takimit të nivelit të ekspertëve, Bislimi tha se pala serbe është pajtuar në parim për hapjen e arkivave shtetërore për çështjen e të pagjeturve, por tha se Serbia kërkon edhe hapjen e arkivave të UÇK-së.

“Ne kemi evidentuar se problemi kryesor për çështjen e të zhdukurve me forcë është mos gatishmëria e palës serbe për hapjen e arkivave shtetërore. Ne kemi diskutuar edhe për kthimin e disa mbetjeve mortore të viktimave që janë gjetur në Kishevak. Po ashtu ne kemi kërkuar mos pjesëmarrjen e (Velko) Odalloviqit në delegacionin serb. Pala serbe në mënyrë deklarative kanë thënë se janë dakord të hapin gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat në Kosovë dhe të UÇK-së”, tha ai.

Bislimi, përmes një konference për medie, bëri të ditura edhe detajet për diskutimet për marrëveshjen për energji dhe targa të veturave.

“Ne kemi bërë të qartë se mandati i BE-së krahas gjetjes së zgjidhjeve është edhe monitorimi dhe asistimi për marrëveshjet e deritanishme. Sa i përket energjisë ka pas të bëjë me licencimin e operatorit për energji. Sa i përket marrëveshjes së targave ne i kemi bërë të ditur se marrëveshja përfundon më 15 shtator dhe nuk kemi interes të vazhdojmë”, tha ai. /kp/

Exit mobile version