Site icon PrishtinaPress

Dialogu Kosovë – Serbi: A do të ketë gatishmëri nga Bislimi e Petkoviq për takim të përbashkët trepalësh

Takimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian, do të zhvillohen sot në Bruksel. Siç kishte konfirmuar më herët BE-ja, këto takime do të jenë në nivel të kryenegociatorëve.

Sikur edhe herave të mëparshme, së pari pritet të ketë takime bilaterale të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, pastaj me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Më vonë, nëse do të ketë gatishmëri nga ana e palëve, do të ketë edhe takim të përbashkët trepalësh.

Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.

Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve, raporton REL.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.

Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të  përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Ndërkohë pritet që Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.

Exit mobile version